Inceneratori i Tiranës ka marrë fonde shtesë gjatë vitit 2024, duke tejkaluar me 21% buxhetin e planifikuar. Të dhënat nga Thesari i Shtetit tregojnë se, për projektin e menaxhuar nga kompania Integrated Energy BV SPV, janë disbursuar 1.53 miliardë lekë, krahasuar me planin prej 1.27 miliardë lekësh. Kjo rritje përbën një shtesë prej 2.7 milionë eurosh mbi parashikimin fillestar.
Pjesa më e madhe e fondeve u shpërndanë në tremujorin e fundit të vitit. Deri në shtator ishin paguar rreth 1 miliard lekë, ndërsa në periudhën tetor-dhjetor 2024 janë çelur mbi 500 milionë lekë. Vetëm më 31 dhjetor, Thesari ka autorizuar një pagesë prej 76 milionë lekësh, ose rreth 767 mijë euro, për kompaninë Integrated Energy BV SPV.
Integrated Energy BV SPV, kompania që menaxhon inceneratorin e Tiranës, është aktualisht nën administrim shtetëror dhe nën hetim nga SPAK për korrupsion. Megjithatë, pagesat nga shteti vazhdojnë, pavarësisht faktit që punimet për ndërtimin e inceneratorit nuk kanë filluar ende. Dokumentet tregojnë se fondet janë destinuar për depozitimin e mbetjeve të bashkive Tiranë, Durrës, Kavajë, Vorë dhe Kamzë, si dhe për ndërtimin e landfillit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese.

Një nga faturat e Thesarit ka këtë përshkrim: “Bashkia Tiranë likuidim për depozitim mbetje urbane, inerte, ndërtim landfilli dhe rehabilitim i kontratës në vazhdim”. Kjo është e pakuptueshme, duke marrë parasysh se sipas rregulloreve, pagesat për projekte të pakryera janë të ndaluara.
Në vitin 2022, Integrated Energy BV SPV raportoi një fitim prej 685 milionë lekësh, me një normë fitimi para taksave prej 41%, ndërsa në vitin 2021 kjo normë ishte 48%. Ndërkohë, bashkitë bregdetare si Kavaja dhe Durrësi janë përballur me vështirësi financiare për shkak të kostove të larta të transportit të mbetjeve drejt Tiranës.
Sipas ekstraktit të regjistrimit të kompanisë, Integrated Energy BV SPV ka si qëllim ndërtimin dhe operimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve, prodhimin e energjisë elektrike dhe eksportimin e saj. Megjithatë, procesi i zbatimit të këtij projekti është vonuar, ndërsa shpenzimet vazhdojnë të rëndojnë mbi taksapaguesit.
Investimi në inceneratorin e Tiranës është kthyer në një çështje të madhe korruptive, duke çuar pas hekurave disa zyrtarë të lartë dhe duke ngritur shqetësime për dëmet materiale dhe morale që po i shkaktohen qytetarëve shqiptarë. Ndërsa fondet vazhdojnë të derdhen për një projekt ende të paimplementuar, zgjidhja për menaxhimin e mbetjeve në zonën më të populluar të vendit mbetet larg horizontit.