Në vitin 2025, kompania Integrated Energy BV SPV, që mban kontratën PPP të inceneratorit të Tiranës, mori rreth 1,4 miliardë lekë pagesa nga buxheti i shtetit, ndërkohë që totali i fondeve publike të transferuara deri më tani ka arritur në 9,1 miliardë lekë (rreth 92 milionë euro).
Pagesat kryhen pavarësisht se ndërtimi dhe funksionimi i inceneratorit nuk janë realizuar. Kontrata është hartuar në mënyrë që shteti paguan një tarifë fikse vjetore, e cila nuk kushtëzohet nga përfundimi i investimit. Kjo do të thotë se kompania përfiton fonde publike edhe në mungesë të impiantit, duke deklaruar vetëm gatishmërinë për ofrimin e shërbimit.
Kontrata aktualisht është reduktuar në depozitim të mbetjeve në landfill, pa proces incinerimi, pa rikuperim energjie dhe pa teknologjinë kryesore që përbën projektin. Çdo vit që kalon pa ndërprerje ose rinegocim të kontratës rrit koston për taksapaguesit, pa përmirësim në trajtimin e mbetjeve urbane.
Aktualisht, kompania e inceneratorit të Tiranës është nën sekuestro dhe administrohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara, e cila vepron si kujdestare e përkohshme për pasuritë deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

