Një episod i papërshtatshëm dhe i konsideruar si ofendues është transmetuar mbrëmjen e djeshme në emisionin sportiv “Super Gol” të Televizionit Publik Shqiptar, ku drejtuesja Hygerta Sako dhe të ftuarit e saj u përfshinë në një situatë talljeje ndaj futbollistit afrikan të Burrelit, Arnold Kwaku Siaw, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë pas ndeshjes Burreli – Pogradeci (2-0).
Gjatë intervistës live, për shkak të një problemi teknik me figurën, portreti i lojtarit nuk shihej qartë në ekran. Në vend që situata të menaxhohej me profesionalizëm, drejtuesja dhe panelistët Ardi Behari, Gert Haxhiu dhe Klajdi Kola shpërthyen në të qeshura, duke e kthyer momentin në një skenë tallëse.
Komentet vazhduan më tej kur analisti Gert Haxhiu u shpreh me një frazë që u interpretua gjerësisht si me nuanca raciste:
“Faleminderit RTSH-së që në momentet e fundit na e zbuloi, sepse dukej si rrëfimet e atyre njerëzve që nuk duan të flasin.”
Pavarësisht se Sako tentoi ta shmangte situatën duke fajësuar “LED-in e RTSH-së” për cilësinë e dobët të pamjes, momenti tashmë ishte bërë viral në rrjetet sociale, duke ngjallur reagime të shumta.
Ndër reagimet më të forta ishte ai i Klubit të Futbollit Burreli, i cili në një deklaratë zyrtare në Instagram e cilësoi ngjarjen si “akt të turpshëm bullizmi dhe me nuanca raciste”.
“Një gjuhë e tillë, pavarësisht nëse maskohet si ‘shaka’, nuk ka vend as në sport dhe as në shoqërinë tonë,” – thuhet në reagimin e klubit.
Klubi gjithashtu doli në mbrojtje të lojtarit të vet, duke e quajtur Siaw-in “pjesë të familjes së Burrelit”, dhe duke vlerësuar profesionalizmin e tij, që ka fituar respektin e tifozëve dhe bashkëlojtarëve.
Edhe trajneri i Burrelit, Samuel Nikaj, reagoi ashpër me një mesazh domethënës:
“Disa humbasin gjithçka për të ruajtur dinjitetin. Të tjerë fitojnë gjithçka, por e shesin shpirtin për një vend në tavolinë.”
Në përfundim, klubi kërkoi që RTSH dhe drejtuesit e emisionit “Super Gol” të marrin përgjegjësinë për incidentin dhe të kërkojnë falje publike ndaj lojtarit Arnold Kwaku Siaw dhe skuadrës së Burrelit.

