Qeveria parashikon për 2026 indeksim të pagave 2.5%, në masë të njëjtë me inflacionin, për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe të pushtetit vendor.

Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin tashmë ka konkretizuar propozimin për rritjen e pagave për 5 kategori të punonjësve të pushtetit vendor.

“Indeksimi i pagave për vitin 2026 bazohet në indeksin e ndryshimit të çmimeve të konsumit, të deklaruar nga qeveria shqiptare në masën 2.5% dhe do të realizohet për të gjithë nëpunësit/punonjësit në njësitë e vetëqeverisjes vendore, njëjtë si edhe për funksionarët/nëpunësit civilë në të gjitha institucionet e administratës publike”, theksohet në relacionin e projektvendimit.

Në vlera, indeksimi i propozuar i pagave në projektvendimin e ndryshuar varion nga 1,000 deri 10,000 lekë në muaj, në varësi të kategorisë dhe pozicionit të punonjësit.

Rritja më e lartë e pagës prej 10 mijë lekë në muaj propozohet për punonjësit mbështetës të administratës së pushtetit vendor, duke çuar pagën bazë nga 40–47 mijë lekë në 50–57 mijë lekë në muaj.

Sipas projektvendimit, për kategorinë e parë që përfshin funksionarët e zgjedhur të organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të vetëqeverisjes vendore, propozohet rritje për kufijtë minimalë nga 3,925 lekë në 6,700 lekë dhe për kufijtë maksimalë nga 4,625 lekë në 7,969 lekë.

Për pozicionin “specialist”, klasa IV-4, në të gjitha bashkitë, si dhe në këshillin e qarkut, propozohet indeksim 1,000 lekë në muaj dhe 2,625 lekë në muaj për pozicionin “Sekretar i Përgjithshëm”, në Bashkinë e Tiranës.

Për kategorinë tjetër që përfshin nëpunësit e klasave III-1, III-2, III-3, IV-1, IV-2, IV-3 dhe IV-4, propozohet rritje 4,000 lekë në muaj për klasat III dhe 5,000 lekë për klasat IV.

Për kategorinë “paga për pozicion” për nëpunësit e klasave I-2, I-3, I-4, I-5, II-1 dhe II-2, propozohet rritje nga 3,525 lekë në 5,425 lekë në muaj.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet nga 1 janari 2026.

Efektet financiare për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore janë rreth 60 milion lekë në muaj për punonjësit mbështetës dhe rreth 83 milion lekë në muaj për të punësuarit e tjerë për efekt të rritjes së kufirit minimal të pagës.

Sipas projektvendimit, ky efekt për vitin 2026 do të përballohet nga transferta e akorduar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, miratuar në ligjin 87/2025 “Për buxhetin e vitit 2026”, si dhe nga të ardhurat e veta të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Burimi: Monitor.al

https://monitor.al/indeksimi-i-pagave-te-administrates-me-2-5-ne-2026-per-pushtetin-vendor-rritje-deri-10-mije-leke/

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *