Është bërë e rrugës që çdo vendim kontrovers apo arbitrar i qeverisë shqiptare të pasohet nga një valë reagimesh, e shtrirë kryesisht në gjani e ne shumësi në rrjetet sociale. Vala e fundit në radhë u shkaktua nga mbyllja e beftë e një prej shkollave të mesme më të mira në Tiranë, kolegjit ‘Mehmet Akif’. Ky artikull nuk synon të trajtojë mbylljen e kolegjit në vetvete, por reagimet kundërshtuese, të cilat të pasura në sinqeritet dhe të varfra në kuptim shiten si të vetëkuptueshme. Andaj në vazhdim do marrim në shqyrtim dy nonsense të hasura më shpesh në lidhje me rastin e mbylljes së kolegjit ‘Mehmet Akif’.
I. Politika duhet t’i qëndrojë larg arsimit.
Kjo pikë është simotër në pakuptimësi me të famshmen shprehje që mori dhenë gjatë protestës së studentëve të vitit 2018, ku një pjesë të frikësuar se protesta do instrumentalizohej nga partitë, shpreheshin me të madhe, me apo pa megafon a mikrofon studiosh, se protesta nuk duhet të jetë poltike dhe se poltika duhet t’i rrijë larg protestës.
T’i kërkosh ‘politikës’ t’i rrijë larg protestës është të mos e njohësh protestën si koncept. Ne fakt, studentët kërkonin që të parandalonin instrumentalizimin dhe uzurpimin e protestës nga partitë poltike, por që një shkarje e vogël në të folur u mor dhe u ripërsërit derisa u kthye ne një lajtmotiv bajat që të vriste veshin. Pa dyshim, që për të arritur deri në këtë nivel, dhanë kontributin e tyre edhe shumë gazetarë e analistë të emisioneve të formatit debatues, të cilët me pervojën dhe dijen e nevojshme për të devijuar narrativa, e parashtronin këtë kërkesë të shndërruar në slogan vend dhe pavend. Me pak fjalë një nonsens i shprehur në naivitet e sipër, u bë tërkuzë. Sot me një distancë katër vjecare në mes shihet qartas që ky nonsens, në dukje i vogël dhe i parëndesishëm i kushtoi shumë asaj proteste.
Rikthehemi tek simotra e vogël e ripërsëritur kaq shpesh këto ditë:
I. Politika duhet t’i rrijë larg arsimit.
Kjo pikë merr vlerë për një shqyrtim më konciz nga konteksti. Por, përpara se të sqarojmë kontekstin do të bëjmë një parashtrim të shkurtër. Çdo individ mbi moshën 18 vjecare në Shqipëri fiton dy të drejta të rëndësishme për të ardhmen e tij, të drejtën për të konsumuar alkool (të paktën në letër) dhe të drejtën e votës. Kur ne shkojmë për të votuar, ushtrojmë një të drejtë themelore, e cila na mundëson që vullnetin tonë t’ia bashkangjisim vullneteve të shumë të tjerëve të ngjashëm me ne. Vullnetet e shumta të shprehura bëjnë bashkë publiken.
Kur ne votojmë, vendosim se si të zgjedhurit tanë me votë, do vënë në zbatim politika dhe do marrin vendime në fushat më të rëndësishme që janë: arsimi, shëndetësia, rendi publik, ekonomia, politika e jashtme, etj. Akti ynë është i pastër politik. Qeveria e zgjedhur është qartas, në dritë të diellit politike. Ndërsa ne i kërkojmë politikës t’i qëndrojë larg arsimit??!!
Rasti i ’Mehmet Akif-it’.
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan e ka bërë traditë që në çdo vizitë të tijën në Shqipëri, te kërkojë nga vëllezërit e tij në qeverinë Rama mbylljen e institucioneve arsimore të financuara nga kundërshtari i tij në ekzil Fetullah Gylen. Mesa duket, qeveria Rama iu nënshtrua presionit duke mbyllur një nga institucionet më prestigjioze në Tiranë. Por, a është vendimi i qeverisë Rama i natyrës së pastër politike? Kjo pyetje ngjason me një akrobaci mbi një teh të mprehtë thike, ku sado virtuoz e i zhdërvjellët të jesh në lëvizje, nuk shpëton dot pa një të çarë të vogël. Vendimi në vetvete është arbitrar dhe në kufi të abuzimit me pushtetin politik të dhënë. Çka mund të thuhet me siguri, është se ky vendim do ketë pasoja të mirëfillta politike.
II. Mbyllja e cdo institucioni arsimor është një humbje për një shoqëri.
Merrni kohë për disa sekonda dhe imagjinoni veten sikur jetoni në një qytezë të vogël diku mes shkretëtirës, oqeanit, Amazonës dhe Siberisë. Ti që po e imagjinon veten në një qytezë të tillë, vjen nga një familje e shtresës së mesme e cila ëndërron një arsimim të mirë për fëmijët e saj. Ti si vajzë (pa u mbetur hatri çunave) ke fituar të drejtën të studiosh në shkollën me prestigjioze të qytetit, aty ku paria e vendit e mbushur me mllef e urrejtje ndaj imperializmit amerikan por dhe një përbuzje për gjithcka ruse, trajnon të rinj si të bëhen kamikazë të dorës së parë. A duhet të ndjesh ti apo të tjerë keqardhje, n.q.s. paria apo ndonjë autoritet tjetër rrjedh nga trutë dhe vendos të mbyllë shkollën? Do thuash ti, nuk ka pse të mbyllet shkolla, mjafton që ajo të reformohet. Por e di ti sa institucione të tilla të pareformueshme, zyrtare a jozyrtare qofshin, ka sot në botë?
Ky ilustrim i gjatë dhe i lodhshëm mjafton për të kuptuar se fjalët që themi formësojnë botën që na rrethon duke formësuar dhe botën e atyre që i dëgjojnë. Ato marrin një rëndësi të veçantë në raste të tilla kur polisi përballet me abuzimin e pushtetit. Në mënyrë të pavetëdijshme, atëherë kur impenjimi për të kuptuar mendimet tona është minimal, ne i hapim rrugë një vetësabotimi i cili shërben si shteg për penetrimin e çdo trushpëlarje që vjen nga propaganda. Shtigje te tilla mbyllen kur nje shoqëri, e sidomos çdo individ si singularitet e pyet veten se cila është vyeshmëria e mendimeve dhe fjalëve të mia.
Të mos kuptosh, do të thotë të mos dish të reagosh. Të mos dish të reagosh, do të thotë të mos dish të mbrosh. Rasti i kolegjit ‘Mehmet Akif’ meriton oponencën më të mundshme nga ne në fjalë dhe në akt. Por gjithçka fillon nga fjala.