Nga Bekim Qoku
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shtetin e vështrojnë dhe e vlerësojnë ende nga pozita e qytetarit inferior. Ai ndaj shtetit qëndron në raportin e skllavit dhe padronit.
Gjykimet e tij për çështjet politike, sociale, kulturore dhe ekonomike rrjedhin pikërisht nga ky raport.
Ta zëmë, kur i kërkohet një kamarieri apo shitësi që punon në një lokal shqiptar ku klientët që e frekuentojnë janë mbi 90 për qind shqiptarë të flasë shqip, themi që kjo kërkesë është nacionaliste. Ne duhet të shohim kushtet ekonomike dhe jo të merremi me kësi gjërash koti.
Por kjo nuk ndodh kurrë anasjelltas. Kur një sllavo maqedonas ankohet që një shqiptar nuk di gjuhën sllave, nuk kritikohet ankuesi për kotësira, por i gjuhen shqiptarit që si ka mundësi ai mos flasë gjuhën e vetme zyrtare, që nëse flet vetëm shqip të shkojë në Shqipëri.
Tjetra, jam shumë i sigurt që kryetari i Komunës të Tetovës dhe ai i Gostivarit dhe ai i Çairit apo Strugës, pra në komunat ku nuk ekziston asnjë shumëkuptimësi kushtetuese për zbatimin e dygjuhësisë, edhe punëtorit më të thjeshtë, qoftë pastruese apo shofer i drejtohet dhe i flet në gjuhën sllavo maqedonase. Dhe kjo është një dukuri krejtësisht normale dhe kurrkujt s’i bën përshtypje. Pse? Sepse kemi pranuar statusin inferior, pa marrë parasysh pozitat sociale.