Në vitin 2023 importet e veshjeve dhe këpucëve në sasi shënuan rënien më të mprehtë që nga viti pandemik 2020 kur njerëzit limituan shpenzimet për veshje nga masat e gjata të izolimit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë vitit të kaluar u importuan 75,6 mijë tonë veshje me rënie 3,5%, por rënia ishte më e fortë për këpucën me mbi 19%.

Burimet nga tregjet e pakicës referojnë se dy janë arsyet që çuan në rënie të shitjeve në sektorin e veshjeve. E para lidhet me inflacionin e lartë në grupin e ushqimeve. Vala e çmimeve të larta ishte me fortë tek ushqimet ku disa produkte të shportës si bulmeti, perimet dhe frutat u rriten me ritme dy-shifrore vitin e kaluar.

Nga ana tjetër emigrimi masiv i të rinjve dhe pakësimi i kësaj grup-moshe po ul kërkesën për veshje. Grupet e reja janë konsumatorë të mëdhenj të veshjeve për shkak të përshtatjes me trendët dhe stilit të jetës në këtë moshë.

Rënia e importeve të veshjeve u reflektua edhe në vlerë. Në vitin 2023 u importuan 94 miliardë lekë veshje dhe këpucë me rënie vjetore -7.4%.

Të dhënat e tregtisë së jashtme tregojnë se episodet e rënies së importeve të veshjeve dhe këpucëve janë të pranishme në vitet e krizave. Duke analizuar ecurinë që nga viti 2005, importet e veshjeve dhe këpucëve ranë vitin 2009 si pasojë e krizës financiare të vitit 2008. Rënia ka qenë e pranishme në vitet 2012 për shkak të frenimit të rritjes ekonomike dhe në vitin 2020, për shkak të kufizimeve ndaj pandemisë.

Shitjet në sektorin e veshjeve dhe këpucëve janë të ekspozuara ndaj krizave ekonomike dhe inflacionit të lartë. Pas luftës në Ukrainë çmimet panë nivele rekord në të gjithë Europën, çka ndikoi në sjelljen e konsumatorëve. Për të përballuar nevojat ushqimore, në kohë krizash konsumatorët ulin blerjet për rroba, por sidomos për këpucë.

Rënia e kërkesës për këpucë ka qenë e pranishme në të gjithë botën vitin e kaluar. Kjo rënie në tregjet e pakicës ka sjellë tkurrje të porosive në fabrika duke bërë që shumë prej tyre të shkojnë në faliment.

Që nga 3-mujori i fundit të kaluar në vendin tonë kanë nisur të mbyllen qindra punishte deri 130 punonjës, si rrjedhojë e rënies se kërkesës nga vendet partnerë. /B.Hoxha

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *