Nga Xhafer Sadiku
Në emisione televizive në Kosovë, këto ditë, një grup nga Deçani propagandon për të konvertuar masivisht myslimanët nga Islami në fe të tjera. “Argumenti” që përdorin është se ndonjë xhami e medrese i paska ndërtuar mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, (Jugosllavia). Për çudi, këtë “tezë” e mbështesin edhe ish këshilltari i Ibrahim Rugovës dhe ndonjë historian titist apo “filozof” antimysliman. E ngritur në këtë kohë, kur po rritet presioni i Fuqive të Mëdha të Perëndimit mbi qeverinë e Kosovës për të pranuar asociacionin e komunave serbe, ky është argument shtesë në favor të Serbisë që i ra nga “qielli shqiptar”. Llogjika është e thjeshtë: kur këta luftojnë besimin fetar të shumicës së tyre, si mund të mbrojnë besimin e pakicës serbe. Kur ne (serbët) kemi ngritur objekte kulti për shumicën shqiptare në Kosovë, këta kërkojnë të na ndalojnë besimin fetar dhe kishat ortodokse të pakicës.
Ata që hiqen “patriot” me teza të tilla në të vërtetë janë varrëmihësit e çështjes shqiptare Pa hyrë në hollësira, le të kthehemi në histori:
Vendosja e kufijve të shtetit shqiptar, në konferencën e Londrës (1913) la jashtë tij një pjesë të madhe të territorit e popullsisë shqiptare, të pushtuar nga shtetet fqinje të Ballkanit. Vjena dhe Roma mendonin se pa cenuar indipendencën e shteteve ballkanike, të drejtat e popullsisë shqiptare dhe jo vetëm duhej të mbroheshin dhe e drejte themelore e tyre ishte edhe ushtrimi i besimit fetar. Ministri i Jashtëm i Austro-Hungarisë, Konti Berchtold deklaronte: “Duke marrë parasysh politikën brutale të Serbisë, peri që kemi lëshuar ne, është një sakrificë e madhe si për pikëpamjen tonë ashtu edhe për shqiptarët dhe e çvleftëson krejt akuzën e intrasigjencës që na hidhet në fytyrë”. Kjo, – theksonte Bert’hold, – e bën të domosdoshme që edhe Konferenca e Ambasadorëve t’u sigurojë mbrojtje vendeve që mbeten nën Serbinë, duke u dhënë garanci të plota pakicave kombëtare dhe fetare.”
Pozita e Monarkisë Austro-Hungareze si fuqi e madhe katolike, relacionet e saj me shqiptarët, interesi që kishin myslimanët boshnjakë për bashkëfetarët e tyre, simpatia që ushqente Rumania e vllehët austriakë për kucovllehët dhe relacionet e qarqeve industriale e tregëtare austriake për hebrejtë e Selanikut, i detyronin moralisht që t’i mbronin e t’i mbanin gjallë ato pakica fetare e kombëtare. – Këtë tendencën tonë, – theksonte Berchtold, – do ta kenë dhe Fuqitë e Mëdha të tjera, e sidomos Italia, që duhet të marrë parasysh ndjenjat e shqiptarëve të Italisë.
Më 22 mars 1913, Konferenca e Ambasadorëve vendosi për mbrojtjen e minoriteteve ku theksonte se ishte e domosdoshme të merreshin masa të ngutëshme për të siguruar mbrojtjen e popullatave katolike dhe myslimane shqiptare, në viset që u ishin lënë Serbisë e Malit të Zi”. Në 23 qershor, Vjena bëri disa propozime për garancitë që duhej tu siguronin pakicave kombëtare për mbrojtjen e tyre.
Propozimet e Vjenës, të mbështetura nga Roma u pranuan edhe nga fuqitë e tjera. Ata përmblidheshin në tetë pika:
1- Shqiptarët që do të jetonin në viset që kishin mbetur nën Serbi e Mal të Zi do të ishin të zot e pronave të tyre dhe do të jetonin bashkë me familjet e tyre krejt të lirë si të gjithë shtetasit e tjerë.
2- Feja e kombësia e ndryshme që kanë shqiptarët nuk mund t’u vihej si shkak për t’i quajtur të padenjë apo për t’i përjashtuar nga ushtrimi i të drejtave civile e politike, emërimin e tyre në zyra publike, apo në ushtrimin e profesioneve të ndryshme.
3- Garantohej ushtrimi i lirë i besimeve fetare të katolikëve dhe myslimanëve. Asnjë pengesë nuk do t’u bëhej autonomisë dhe organizimit hierarkik të komuniteteve të tyre, as në relacionet që do të kishin ata me krerët e tyre shqiptarë si dhe me Selinë e Shenjtë e Sheh ul Islamin, as në administrimin e fondeve dhe pronave të tyre.
4- Kombësia shqiptare do të njihej zyrtarisht prej Serbisë dhe Malit të Zi. Shqiptarët, qofshin myslimanë apo katolikë, do të ishin të lirë të kishin shkolla, ku mësimi të bëhej në gjuhën e tyre. Kuptohej vetiu se shkolla mund të mbaheshin me të hollat që mund të jepnin bashkëatdhetarët e bashkëfetarët që jetonin në vende të tjera. Përgjithësisht, në asnjë mënyrë, nuk do të pengohej përdorimi i gjuhës shqipe, as në librat e as në revistat e shtypura në gjuhën shqipe.
5- Shqiptarëve (myslimanë e katolikë) që do të donin të shpërnguleshin nga viset e tyre që i kishin mbetur Serbisë e Malit të Zi, do t’u jepnin një afat prej tre vjetësh për t’u shpërngulur lirisht nga viset e tyre.
6- Pronarëve shqiptarë (katolikë e myslimanë) që do të jetonin jashtë Serbisë e Malit të Zi, po që do të kishin pasuri të patundshme në viset që u kishin mbetur këtyre shteteve, nuk do t’u zaptoheshin kurrsesi pasuritë e tyre. Ata nuk do t’i shtrëngonin as për t’ua shitur pronat e tyre bujqve të vet apo të tjerëve, as për t’u lënë ndonjë pjesë të pasurive të tyre, por do të ishin të lirë për t’i dhënë me qera pronat e tyre apo për t’i qeverisur prej njerëzve të caktuar prej tyre. Ata mund të shpronësoheshin vetëm kur ta donte me të vërtetë e mira publike dhe vetëm në bazë të ligjit, duke u dhënë në dorë një shpërblim të arsyeshëm. Kontratat që do të lidhnin shqiptarët që banonin jashtë Serbisë e Malit të Zi me bujqit e tyre nuk do të cenoheshin, përveç me ligj të përgjithshëm që do të zbatohej në tërë shtetin e për të gjithë banorët e Serbisë e Malit të Zi.
7- Banorët e Shqipërisë që e kishin pasur zakon të dërgonin bagëtitë e tyre në bjeshkë, në vërri e në kullotë, në viset që u mbetën Serbisë e Malit të Zi do të gëzonin përsëri një të drejtë të tillë. Gjithashtu dhe në çifligjet e tyre jashtë Shqipërisë, do të gëzonin tërë të drejtat që kishin pasur më parë.
8- Masat që do të merrnin qeveria e Serbisë dhe Malit të Zi për të çarmatosur vendin duhej të ishin të përgjithshme për të gjithë shtetasit e tyre dhe kurrësesi jo vetëm për shqiptarët.
Ky akt ndërkombëtar ishte baza që rregullonte marrëdhëniet e shtetit me religjionet në Jugosllavi i cili, si na dëshmojnë “patriotët” nëpër studio televizive të Kosovës, qënka zbatuar nga Jugosllavia. Pikërisht, këtë duan serbët. Injoranca e “historianëve” dhe “filozofëve” shqiptarë është katastrofale për çështjen shqiptare. ____________
Referenca:
AQSH, fondi 591, dosja 2/1, f. 37-38; Nr. 5253. Tel për Romë. 7 janar 1913 Nr. 35. AQSH, fondi 591, dosja 2-5, f. 268-271. Nr. 7468. Tel. Për Londër Nr. 518, Berlin Nr. 449 dhe Romë Nr. 692, më 23 qershor 1913.
Për më tepër shih: Fuqitë e mëdha në formimin e shtetit shqiptar.