Nga Shaban Murati
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në deklaratën e tij për mediat në datën 26 mars 2023 pas takimit të zhvilluar në Tiranë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, theksoi se i ka kërkuar kryeministrit Kurti “funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë”. E përsëris: është deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë dhe jo e presidentit serb Vuçiç apo e kryeministres serbe Bernabiç. Është bërë në mes të Tiranës në cilësinë e kryeministrit të Shqipërisë dhe kërkesa i drejtohet kryeministrit të shtetit të dytë shqiptar, Kosovës.
Është një profanim diplomatik dhe kombëtar i paparashikueshëm, i cili të shtyn në ngasjen se cilën qeveri dhe cilin shtet ka përfaqësuar kryeministri i Shqipërisë në bisedimet me kryeministrin e Kosovës.
Pas marrëveshjes së “xhentëlmenëve” në 27 shkurt në Bruksel dhe në Ohër në 18 mars midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, asnjë nga personalitetet shtetërore dhe diplomatike perëndimore, që kanë komentuar marrëveshjen dhe kanë nxitur të dy shtetet për zbatimin e saj, që nga sekretari amerikan i shtetit Blinken e deri te presidenti francez Makron, nuk e kanë përmendur fare asnjeri “funksionimin me garancitë e nevojshme të kishës serbe në Kosovë”. Madje as ministri i jashtëm grek, Dendias, i një shteti tipikisht ortodoks dhe aleat strategjik i Serbisë, nuk e zuri fare me gojë çeshtjen e kishës serbe në deklaratat e tij pas takimit në Beograd me presidentin e Serbisë Vuçiç në datën 22 mars.
Pse e paska shqetësim kaq të madh personal dhe politik kryeministri i Shqipërisë “funksionimin me garancitë e nevojshme të kishës serbe në Kosovë”?. Pse nuk foli kryeministri i Shqipërisë për thelbin e problemeve dhe të prioriteteve, që është njohja reciproke e dy shteteve, Kosovë dhe Serbi; pse nuk kundërshtoi kryeministri i Shqipërisë asosiacionin e rrezikshëm monoetnik serb në Kosovë, pse nuk foli për zbatimin e sovranitetit ligjor dhe kushtetues të shtetit të Kosovës në Veriun e saj?, etj.etj.
Nuk mendoj se është rastësi që kryeministri i Shqipërisë nuk foli dhe harroi me dashje që të shprehte në 24 mars mirënjohje për NATO-n në përvjetorin e ndërhyrjes humanitare atlantike kundër Serbisë për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi dhe spastrimi etnik.
Ende e paqartë është nëse kryeministri i Shqipërisë e shprehu shqetësimin e tij të madh për kishën ortodokse serbe në Kosovë si impuls instiktiv i fanatizmit të tij fetar si kriptotodoks apo i fanatizmit politik si aleat i ngushtë personal dhe shtetëror i presidentit serb Vuçiç dhe i Serbisë.
Sido që ta rrotullosh del te konkluzioni se kemi dëshminë e një internacionalizmi ortodoks dhe kriptokomunist të kryeministrit të Shqipërisë.