Përballja mes Barcelonës dhe Interit rezultoi një supersfidë e cila u mbyll në barazimin dramatik 3-3 duke minimizuar shanset e Barcelonës për kalimin në fazën e 1/8 të Ligës së Kampioneve, ndërsa Inter rrit ndjeshëm shanset për kalimin e grupit. Tekniku zikaltër, Simone Inzagi, lavdëroi shpirtin e garës treguar nga të besuarit e tij duke shprehur dhe keqardhjen që kjo ndeshje nuk u fitua. “Zhvilluam një ndeshje të madhe dhe nuk hoqëm dorë në asnjë moment nga dëshira për të marrë maksimumin. Të vjen vërtet keq që nuk fituam duke marrë parasysh rastet që kishim. Komplimente të veçanta për dyshen tonë të sulmit Xheko dhe Martinez për paraqitjen e tyre” – tha Inzagi.
Mjaft i zhgenjyer u pa tekniku i Barcelonës, Ksavi Hernandez, për të cilin skuadra e drejtuar prej tij nuk mori atë që meritonte në këtë përballje. “Jam i zhgënjyer sepse sonte ashtu si në sfidat e kaluara kemi dominuar në lojë, por gabimet na kushtuan sërish. Kemi ende një shans të vogël për kualifikim dhe ne do të japim maksimumin deri në fund” – theksoi Ksavi.