Irani ka deklaruar se rihapja e Ngushticës së Hormuzit do të ndodhë vetëm pasi Shtetet e Bashkuara të ndalojnë atë që Teherani e cilëson si “agresion” në rajon. Në një intervistë për BBC, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, tha se Irani është i gatshëm të garantojë kalim të sigurt për anijet në këtë rrugë strategjike detare, por vetëm nëse situata e sigurisë përmirësohet.

Sipas tij, Ngushtica e Hormuzit ka qenë e hapur për mijëra vite dhe tensionet aktuale lidhen me përshkallëzimin e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit në rajon. Ai theksoi se rihapja e plotë e saj do të jetë e mundur vetëm kur Uashingtoni të tërhiqet nga veprimet që Teherani i konsideron agresive.

Khatibzadeh shtoi se Irani synon të respektojë normat dhe ligjin ndërkombëtar, por theksoi se Ngushtica e Hormuzit nuk ndodhet plotësisht në ujëra ndërkombëtare dhe kalimi i sigurt përmes saj varet nga bashkëpunimi dhe vullneti i mirë i Iranit dhe Omanit.

I pyetur nga gazetari i BBC-së, Nick Robinson, nëse kalimi i sigurt do të thotë që Irani nuk do të vendosë tarifa apo nuk do të kërcënojë anijet që kalojnë aty, ministri iranian u përgjigj se Teherani dëshiron që ngushtica të mbetet një zonë paqësore. Megjithatë, ai theksoi se siguria duhet të jetë e ndërsjellë dhe se Irani nuk do të lejojë që Gjiri të përdoret për qëllime ushtarake nga anijet luftarake.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *