Nga Saimir Kadiu
Isa Boletini, një nga figurat qendrore të Pavarësisë së Shqipërisë, do të vritej më 23 janar 1916 në Podgoricë nga xhandarët malazezë. Bashkë me të u shuan edhe 2 djemtë dhe tre nipërit e tij.
Në vitin 1958 është botuar në New York libri i Milovan Gjilasit “Land Without Justice” (Tokë pa drejtësi) ose “Zemlja bez pravde” në origjinal.
Milovan Gjilas (1911-1995) ishte një komunist malazez, nga më të njohurit e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe pas luftës dhe ardhjes në fuqi të Titos u bë edhe zëvendëskryeministër i Jugosllavisë. Disa vite më pas ai do grindej me Titon dhe do të fillonte të bëhej një kundërshtar politik i tij.
Në librin e sipërpërmendur ai rrëfen edhe vrasjen heroike të Isa Boletinit, të cilin e mposhti vetëm tradhtia dhe pabesia.
“Beteja me luftëtarët e Isës nuk zgjati shumë, megjithë heroizmin e marrë të shqiptarëve. Goditja shtriu për tokë udhëheqësin dhe njerëzit e tij më besnikë. Luftëtarët që kishte pranë u shuan deri te i fundit, të tjerët u shpërndanë. Vetë Isa Boletini u vra. Por përpara se të rrëzohej, ai luftoi me trimëri të madhe dhe për një kohë të gjatë, deri sa mbeti i vetëm në rrugën e hapur. I plagosur, u ngrit në gjunjë dhe, duke qenë i pafuqishëm për të mbajtur pushkën, qëlloi me revolver, të paktën sa për të marrë një jetë në shkëmbim të jetës së tij. Babai u turr drejt tij dhe shqiptari i egër e mbështeti revolverin në krahun e majtë. Por nuk pati kohë ta shkrepë, sepse një ushtar e kishte vënë në shënjestër dhe ai ra. Babai i shkoi me vrap pranë dhe Isa i hodhi një vështrim me sytë e mëdhenj, të kuq si gjak, tha diçka në gjuhën e vet që babai nuk e kuptoi dhe mori frymë për herë të fundit. Babai i mori Mauzerin e madh me dorezë prej argjendi dhe e ruajti si kujtimin më të çmuar.
Nuk duhet t’ju duket çudi që ne fëmijët mbajtëm zi për Isa Boletinin. Edhe babai mbajti zi, ndonëse ndihej krenar që ai ishte vrarë nga ushtarët e grupit të vet. Ishte një keqardhje e veçantë, më tepër ishte një ndjenjë adhurimi për një hero të patrembur të Shqipërisë së egër, që kishte luftuar deri në fund në një fushë të zhveshur dhe në një rrugë të zbrazët, pa kërkuar as lëmoshë e as falje, por në këmbë dhe pa mbrojtje. Në keqardhjen tonë ishte edhe ky adhurim. Nëse dikush duhet të vdesë, do të ishte mirë të binte si Isa Boletini. Le të kujtohet, të paktën nga ata që e kanë parë dhe dëgjuar.”
Nikolla Gjilas, babai i Milovan Gjilasit, vrasësi apo përgjegjësi i vrasjes së Isa Boletinit, u vra në vitin 1943. Sipas Gjilasit, “babai i tij u vra nga fashistët shqiptarë.”
Djali i Isa Boletinit, Adem Boletini, u vra disa muaj më pas në nëntor 1943 në Shkodër nga një njësi guerril i qytetit i drejtuar nga Vasil Shanto.
Nuk ishte thjesht një atentat ndaj një oficeri që ruante rendin në Shkodër, por ishte vrasja e radhës së një Boletini.
Koincidencë apo ndonjë atentat i planifikuar dhe i koordinuar me komunistët malazezë (të cilët kishin marrëdhënie shumë të ngushta me bashkëpatriotët e tyre shqipfolës në Shkodër) në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e babait të Gjilasit?
Deri më sot një gjë e tillë nuk është konfirmuar.
Eshtrat e Isa Boletinit u kthyen në Mitrovicë në vitin 1998, pasi varrezat myslimane të Podgoricës u rrafshuan dhe për 17 vite qëndruan në thasë, sepse familjarët e Isës donin që rivarrimi të bëhej me ceremoni ushtarake në fshatin Boletin. Ceremonia zyrtare e rivarrimit të tij u bë më 10 qershor 2015.