Ish-ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Draškoviç, ka bërë një deklaratë tronditëse në lidhje me njërën prej ngjarjeve më të errëta të viteve të fundit të Jugosllavisë: masakrën në Panda Bar në qytetin e Pejës, më 1998, ku u vranë gjashtë të rinj serbë.

Në një intervistë të fundit, Draškoviç ka akuzuar drejtpërdrejt shërbimin sekret të Serbisë për organizimin dhe ekzekutimin e kësaj ngjarjeje makabre me qëllim të manipulimit të opinionit publik dhe nxitjes së urrejtjes ndëretnike.

“Ata të rinj nuk i vranë shqiptarët. Ata u vranë nga duart e shërbimit tonë sekret, për t’ia hedhur fajin shqiptarëve dhe për të ndezur zjarrin e luftës,” deklaroi Draškoviç.

Kjo deklaratë e tij vjen si konfirmim i dyshimeve që kanë qarkulluar prej vitesh në media dhe në qarqe të ndryshme hetimore e politike, por që rrallëherë janë artikuluar me kaq qartësi nga një figurë kaq e lartë dhe me peshë në politikën serbe.

Masakra në Panda Bar

Më 14 dhjetor 1998, në kulmin e përplasjeve të armatosura në Kosovë, një sulm i armatosur në një kafene në Pejë shkaktoi vrasjen e gjashtë të rinjve serbë dhe plagosjen e disa të tjerëve. Ngjarja tronditi opinionin publik serb dhe u përdor si justifikim për një seri represionesh kundër shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe.

Fillimisht, autoritetet serbe e fajësuan UÇK-në për këtë sulm, megjithatë asnjëherë nuk u paraqitën prova të besueshme që lidhnin luftëtarët shqiptarë me krimin.

By Editor