Valon Murati, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deklaroi se vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi pas presionit të ushtruar nga Hilari Klinton, e cila asokohe ishte Sekretare e Shtetit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, kjo gjykatë nuk do të ishte themeluar nën administratën e Donald Tramp, duke marrë parasysh qasjen e kësaj administrate në zgjidhjen e mospajtimeve mes shteteve në konflikt.

“Presioni ndaj nesh nuk ka qenë ai që u është bërë atyre që kanë qenë bartës të procesit. Nëse e shohim nga prizmi i sotëm, jam i sigurt se nuk do të ndodhte. As në administratën Tramp 1 kjo nuk do të kishte ndodhur, për shkak të një logjike tjetër dhe filozofie politike që kishte ajo administratë, atëherë dhe sot.

Por, në administratën e Obamës, kur ka nisur ky proces, dhe kur në të ka qenë e përfshirë edhe ish-sekretarja e Shtetit, Klinton – një mike e madhe e Kosovës – është ushtruar një presion i jashtëzakonshëm prej saj. Sipas informatave që kam, nuk ka qenë e lehtë të refuzohej dhe të mos kalonte përmes Këshillit të Sigurimit,” – tha Murati.

Ai shtoi se vendi ndodhet në një “kolaps absurd institucional”, ku qytetarët nuk e dinë se kujt t’i drejtohen dhe si t’i drejtohen institucioneve.

Murati vlerësoi se Ministria e Drejtësisë mund të bënte më shumë në administrimin e procesit, veçanërisht në çështjen e kushteve në burg, nëse ai konsiderohet burg i Kosovës.

“Qeveria aktuale, sidomos z. Kurti, është e ftohtë ndaj këtij procesi. Nuk ka ndonjë emocion pozitiv, qoftë edhe për njerëzit që janë atje. Ai gjithmonë thirret në idenë se ju e keni votuar, ndërsa unë kam qenë kundër,” – theksoi Murati në emisionin Interaktiv.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *