Michelle Ritter, 31 vjeç, ka ngritur padi ndaj ish-drejtorit ekzekutiv të Google, Eric Schmidt, duke e akuzuar atë për abuzim seksual, dhunë fizike, ngacmim dhe monitorim të jetës së saj private përmes pajisjeve të fshehta.
Gjatë seancës së dëshmisë në Gjykatën e Qarkut të Los Angeles, Ritter – një sipërmarrëse në fushën e teknologjisë – deklaroi se gjatë marrëdhënies së tyre, Schmidt kishte instaluar kamera të fshehta në shtëpinë e përbashkët dhe softuer në pajisjet e saj elektronike që i mundësonte të kontrollonte komunikimet e saj.
Raportimet e New York Post kanë zbardhur më herët detaje nga marrëdhënia e tyre, e cila nisi në vitin 2020 dhe u shoqërua sipas akuzueses me sjellje kontrolluese. Ritter pretendon se në nëntor të vitit 2021, gjatë një udhëtimi në jaht, Schmidt e dhunoi seksualisht, pavarësisht kundërshtimeve të saj. Sipas deklarimeve, ngjarja është përsëritur edhe në gusht 2023, gjatë një festivali në Nevada.
31-vjeçarja e akuzon gjithashtu ish-CEO-n për fotografim të fshehtë dhe pa pëlqimin e saj, presion psikologjik dhe sjellje degraduese në takime biznesi, duke përfshirë komente përçmuese ndaj saj para kolegëve. Në disa raste, ajo thotë se ka qenë viktimë e shtyrjeve të dhunshme që i kanë shkaktuar lëndime fizike.
Ritter pretendon se Schmidt kontrollonte pajisjet e saj përmes programeve të instaluara në kompjuter dhe telefon, duke pasur akses në mesazhe, email-e dhe dokumente të saj personale. Ajo thotë se marrëdhënia e tyre përfundoi në fillim të vitit 2024, pasi në media u shfaqën foto të Schmidt me një grua 22-vjeçare.
Një ngjarje tjetër e rëndë, sipas dëshmisë, ka ndodhur në nëntor 2024 në Malibu, kur Schmidt dyshohet se e ka futur me forcë në makinë dhe i ka marrë laptopin, incident që është kapur nga kamerat e sigurisë. Të dy ishin bashkëpronarë të kompanisë “Steel Perlot”, ku Schmidt kishte investuar rreth 100 milionë dollarë.
Ritter deklaroi gjithashtu se ai ka falsifikuar firmën e saj në dokumente të rëndësishme dhe e ka lënë jashtë shtëpisë së përbashkët, duke e penguar të merrte sendet personale. Ajo pretendon se para ndarjes, Schmidt kishte vendosur kamera të tjera të fshehura dhe pajisje gjurmuese brenda banesës.
Çështja aktualisht po hetohet, ndërsa avokatët e Schmidt nuk kanë dhënë ende një reagim publik mbi akuzat.

