James Peter Covey, ish-zëvendësi i Bernard Kouchner në UNMIK, ka deklaruar para Dhomave të Specializuara se Hashim Thaçi nuk ishte ndër figurat kryesore të përfshira në negociatat mes KFOR-it dhe strukturave të UÇK-së, por luante më shumë rolin e një ure lidhëse.
Në ditën e tretë të dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Covey u pyet nga mbrojtja e Thaçit lidhur me angazhimin e tij në marrëdhëniet me KFOR-in.
“Thaçi merrte pjesë rrallë në takime. Ai thjesht zbatonte detyrat që ia jepnin drejtuesit e tjerë të UÇK-së. Përpiqej të ruante marrëdhënie të mira me komandantët, nuk donte t’i mërziste ata”, tha Covey.
Ai shtoi se në dokumentet e kohës kishte parë se Thaçi kërkonte armë për ish-luftëtarë të UÇK-së, gjë që sipas UNMIK-ut nuk duhej të ndodhte, por që u interpretua si përpjekje e tij për të mbajtur lidhjet me strukturat në terren.
Covey përmendi edhe një episod të përshkruar në librin e gjeneralit britanik Mike Jackson, ku Thaçi kishte kërkuar një takim urgjent me të në qytet, gjë që ai e cilësoi si “njëkohësisht serioze dhe qesharake”.
“Ai ishte një djalë i ri, ambicioz, që po përpiqej të krijonte pozicionin e tij. Kam parë raporte që ai ka bartur edhe municione në male për komandantët. Nuk kam prova që kjo ka qenë e rregullt, por nuk më çudit aspak”, deklaroi Covey.
Megjithatë, sipas tij, këto veprime nuk bien ndesh me deklaratat publike të Thaçit për mosdhunë dhe mbrojtje të pakicave, duke sugjeruar se ai vepronte në balancë mes kërkesave të udhëheqjes së UÇK-së dhe pritshmërive të ndërkombëtarëve.