Shqipëria fitoi 0-1 në Tbilisi me golin e vetëm të sfidës shënuar nga Kristjan Asllani.
Kjo fitore e ngjit kombëtaren në kuotën e 6 pikëve duke e rihapur krejtësisht garën në një grup shumë të ekuilibruar. Në Ligën e Kombeve.
Ardian Ismajli ishte kapiten dhe ndër më të mirët në fushë në këtë përballje.
Pas sfidës ai u shpreh se ekipi i meritoi tre pikët. Sipas tij, Gjeorgjia ndryshoi taktikë në përballjen e dytë ndryshe nga e para në Tiranë duke vendosur të sulmojë dhe kjo krijoi hapësira për sulmin e kuqezinjve.
“Ndeshjen me Çekinë e kemi harruar direkt që kur ikëm në hotel. Kemi menduar vetëm për Gjeorgjinë. E kemi merituar dhe e kemi dominuar kundërshtarin. Kemi pasur mundësinë të shënonim edhe 2 apo 3 gola, por s’ka problem. Jemi shumë të motivuar për ndeshjet e nëntorit. Sot Gjeorgjia kishte ndryshuar formacionin. Ishte futur me një formacion më sulmues. Por i kemi neutralizuar të gjitha aksionet e tyre. Këtë e tregoi edhe fusha. Ata edhe me një barazim do të ishin të lumtur, sepse kishin 6 pikë. Tani jemi 3 ekipe me 6 pikë dhe të shohim si do të shkojë grupi. Tashmë do të luajmë në nëntor përpara publikut tonë të zjarrtë”. – tha ai..