Tërheqja e firmave të opozitës nga kandidatura e Endrit Shabanit për Avokat të Popullit është shndërruar në “mollën e sherrit” në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e mediave.

Sipas burimeve për gazetarin Osman Stafa, në qendër të përplasjes kanë qenë deputeti demokrat i Elbasanit, Bled Himçi, dhe ish-deputeti Ervin Salianji. Debati ka shpërthyer pasi Himçi akuzoi Salianjin se i kishte kërkuar personalisht firmën për kandidatin Endrit Shabani, kërkesë që, sipas tij, ishte refuzuar.

“Mbi interesat personale nuk mund të shesim idealet e PD-së. Të bësh profanin duke akuzuar deputetët që kanë bërë gabim se kanë firmosur për Endri Shabanin, kur ti ke qenë iniciatori për mbledhjen e firmave, kjo nuk të nderon dhe nuk ka moral. Mua ma ke kërkuar personalisht dhe unë nuk pranova të firmosja. Ua ke kërkuar edhe kolegëve të tjerë dhe ata, në mirëbesim, ta dhanë”, mësohet t’i jetë drejtuar Himçi Salianjit.

Nga ana e tij, Salianji i mohoi kategorikisht akuzat, duke reaguar me tone të ashpra.

“As kam qenë në Elbasan gjatë kësaj periudhe dhe as kam bërë ndonjë takim deri tani. Të kanë detyruar ta thuash dhe e thua, por kujtohu se po e shoh që as emrin nuk e paske në listë. Qesharak mund të bëhesh edhe me vetëdije”, është shprehur Salianji.

Në debat ka ndërhyrë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka sqaruar se takimet e zhvilluara në këtë proces i ka konsideruar si private.

“Takimet i kam konsideruar private”, ka deklaruar Berisha.

Përplasjet e forta në Kryesinë e PD-së konfirmojnë tensionet e thella brenda opozitës lidhur me vendimmarrjen për Avokatin e Popullit dhe mënyrën e funksionimit të strukturave drejtuese të partisë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *