“Ka qenë periudha më e bukur e jetës time por dhe kaq është mjaftueshëm. ” Me këto fjalë zgjodhi të mbyllë karrierën e tij si komentator sportiv gazetari legjendar i ZDF-së, Bela Reti. Në ditëlindjen e 66-të ai komentoi edhe ndeshjen e tij të fundit, pikërisht gjysmëfinalen e botërorit mes Francës dhe Marokut.
Reti u lind në Vjenë nga dy prindër hungarezë, të cilët ishin të detyruar të linin vendin e tyre pas Revolucionit Hungarez të vitit 1956. Vitet e para të jetës Reti i kaloi në qytetin e Sao Paolos, në Brazil. Familja e tij vendos të zhvendoset sërish, këtë radhë drejt Gjermanisë. Bela shkel në tokën gjermane kur ishte vetëm 11 vjeç, pa ditur asnjë fjalë të vetme gjermanisht.
Diplomohet në degën ”Publicistikë, Sociologji dhe Etnologji” pranë Universitetit të Mainzit. Menjëherë pas përfundimit të studimeve katapultohet si redaktor dhe komentator sportiv pranë ZDF-së, ku kishte filluar karrierën si punonjës arkivi, që kur ishte student.
Elokuenca, korrektësia, profesionalizmi dhe njohuria e tij e pashoqe për futbollin e kthyen atë brenda pak vitesh në një ndër komentatorët më të vlerësuar në Gjermani.
Në harkun kohor të 40 viteve atij iu besua komentimi i shumë ndeshjeve të rëndësishme të kombëtares gjermane, ku vlen të përmenden: finalja e evropianit 1996 kundër Çekisë, finalja e botërorit 2002 kundër Brazilit, gjysmëfinalja e evropianit 2008 kundër Turqisë, gjysmëfinalja e botërorit 2014 kundër Brazilit, finalja e botërorit 2014 kundër Argjentinës. Reti do të komentonte gjithashtu ndeshjen e botërorit të 2018, ku ai si shumë të tjerë nuk u besonin syve teksa shikonin Gjermaninë të eliminohej në fazën e grupeve nga Koreja e Jugut.
Reti ishte zëri i finales së evropianit 2004, në të cilën Greqia do të shkruante histori, duke e mundur kombëtaren portugeze. Një ditë përpara kesaj finaleje, Reti do të takohej me mikun e tij Otto Rehagel, i cili do i ndante në mirëbesim formacionin që kishte përzgjedhur për në finale.
Eruditit të ZDF-së do t’i besohej edhe komentimi i finales së botërorit 2018 mes Francës dhe Kroacisë.
Bela Reti ishte i përzgjedhuri për të komentuar ndeshjen mes Danimarkës dhe Finlandës në evropianin e vitit 2021, ndeshje në të cilën mesfushori Kristian Eriksen pësoi arrest kardiak. Reti heshti për minuta të tëra, teksa danezi dergjej në fushë duke luftuar për jetën.
”Fjalët nuk mund të shprehnin asnjëherë se çfarë po ndjeja në ato momente, andaj vendosa të hesht. Ka qenë momenti më i vështirë i karrierës sime.”
Sot largimi i Bela Retit bëri jehonë jo vetëm në botën gjermane, por edhe shumë më larg, atje në zemër të Ballkanit ku shumë breza u rritën duke dëgjuar zërin e tij.
Bela Reti na llastoi me një nivel profesionalizmi të pashoq.
Në mendjet tona jehon akoma gëzimi i Retit kur Bierhof shënoi një goldengol, trishtimi kur Kahn bëri atë gabim të pafalshëm, komplimentat e derdhura për një talent si Hasan Shash dhe gëzimi i marrë kur i vogli Götze shënoi një gol manual e i dha Gjermanisë Kupën e Botës.
Të gjitha këto kujtime jehojnë tek ne me zërin e tij.
Danke vielmals Bela!