Publikoi: Agim Morina
Lindi në Shkodër me 24 mars 1895.
Kur mërrijti në moshën shkollore, i ati, mik i Fretënve, e regjistroi në shkollën e tyne qi ishte e vetmja ku mësohej shqip. Këtu pati si mësues – drejtorin e saj At Gjergj Fishtën dhe Mati Logorecin. Bashkë me mësimet qi i ndiqte me zell, udhëzohej, sikurse të gjith bashkënxânsit e tij, në dashunín e gjuhës e t’Atdheut.
At Fishta e mori me sy të mirë, pse dallohej ndër shokë për përparim e sjellje, prandej, mbas mbarimit të shkollës fillore, e zgjodhi ndër ata të pakët qi u gjykuen t’aftë të ndiqshin gjimnazin në Seminarin Fretnuer të Shkodrës. Këtu pati si drejtuer e si profesor At Pashk Bardhin e ma vonë edhe At Vinçenc Prennushin. Kishte rá ndër duer të mira. Mbassi kreu gjimnazin e ulët, vijoi dhe mbaroi licén klasik në Salzburg (Austri). Në Graz kreu fakultetin e filozofís në vjetin 1917.
Posa u kthye në Shqipni, Luigj Gurakuqi, qi aso kohe (1917) drejtonte Arsimin e Shqipnís gjatë pushtimit austro-hungarez, e êmnoi menjiherë sekretar të distriktit të Shkodrës me Mati Logorecin në krye e njikohësisht mis të Komisís Letrare. Si i tillë dhe si sekretar i saj, mori përsipër redaksín e revistës «Lajmet e Komisis Letrare», qi botohej në Vjenë. Pregatitja e tij gjuhësore dha nji ndihmesë të shënueshme në caktimin e rregullavet orthografike të gjuhës, të cilat në shumicën e madhe, janë edhe sot në përdorim. Komisíja kry[e]sohej nga Luigj Gurakuqi e kishte si antarë gjuhëtarët t’onë mâ të mirë: At Fishtën, At Prennushin, Mati Logorecin, Dr. Gjergj Pekmezin, Hafiz Ali Korçën, Aleksandër Xhuvanin, Don Ndré Mjedjen, At Ambroz Marlaskajn, Luigj Naraçin, etj.
Mbas tërheqjes s’ushtrís austro-hungareze në fundin e vjetit 1918, Shkodra ra nën pushtimin francez. Gurakuqi hyni menjiherë në marrëdhânje me komandantin e qytetit, Generalin Bardi De Fourtou. të cilit i jipte mësime shqipjeje, dhe nxori prej tij léjën e vijimit të Komisís Letrare, e cila u vu nën varunín e Drejtorís s’Arsimit nën kryesín e Gaspër Beltojës, Komisija, ndonse e sajueme prej pak misash, (gjithesejt pêsë vetë) dhe ndonse nuk pati jetë të gjatë në Shkodër, mërrijti me përpilue e me botue të parin libër për shkollat të mesme, nji antologji qi u përdorue për mjaft kohë në shkollat t’ona. Auktorët e kësaj antologjije qenë Karl Gurakuqi dhe Luigj Naraçi.
Në Shkodër gjindeshin dy Shoqni kulturore: «Mustafa Pasha» (pjesa musulmane) dhe «Vaso Pasha» (pjesa katholike). Hil Mosi me K. Gurakuqin. në bashkëpunim me Kristo Floqin e me Omer Ruzhdín morën masat për shkrimjen e këtyne të dyjave në nji të vetme. Mbas bisedimesh me eksponentat e Mustafa Pashës e të Vaso Pashës, vepra e nisjatorvet u kunorëzue me 16 fruer 1919 me themelimin e Shoqnis «Vllaznija», me kryetár Hil Mosin e me sekretár Gurakuqin. Këtij të fundit i u ngarkue në vjetin e dytë edhe drejtorija e revistës «Agimi», organ i Shoqnís. Numri i parë i saj doli në majin e vjetit 1919 dhe për nji vjet rresht e mbajti drejtimin dr. Kristo Floqi e për dy vjetë tjera Gurakuqi. Veprimentarija e këtij nuk kufizohej vetëm në redaktimin e revistës dhe në mbarëvajtjen e Shoqnís, por kujdesej edhe të përpilonte apo të përkthente copa theatrore për Degën e Theatrit të «Vllaznís». Ndër të tjera përpiloi dramin pesë aktesh «Gjenovefa», qi e botoi me shpenzimet e veta në vjetin 1923.
Bashkpuntuer i Avni Rustemit
Prej 21 prill deri me 2 maj 1921, mbas nisjativës së marrun nga Avni Rustemi, u mbajt në Vlonë nji Kongres i të gjith shoqnive të Shqipnis, e ku këto mungojshin, dërguen përfaqsuesit e vet Bashkit e vendit. Si përfaqsues i Shkodrës qe dërgue Gurakuqi, të cilin Kongresi e emnoi njijzâni për sekretár të vetin me nënsekretarë Selim Mborjen dhe Koço Gramenon. Nga ky Kongres, qi pati nji jehonë të të gjanë mbrenda në Shqipní dhe në kolonít shqiptare t’Amerikës, doli Federata e Madhe «Atdheu». Në bazë të statutit të saj, qi doli nga gjini i Kongresit, Parija e Federatës rezultoi kështu: kryetár nderi, Avni Rustemi, kryetár efektiv Kol Tromara, sekretár i përgjithëshëm, Karl Gurakuqi, drejtuer i revistës Said Qemali, arkëtar-llogaritar Ahmet Dakli, inspektor-sekretár Halim Xhelo, mjek i Federatës dr. Mustafa Naili (këta dy të fundit pa të drejtë vote). Revista «Atdheu» doli me 28 nanduer 1921 në Vlonë me nji paraqitje moderne e shtypej në shtypshkrojën «Giovanni Direttore». Gurakuqi veproi si kryeredaktor i saj. Këtu pat nisë të botonte me vijime librin «Njimijë e nji Nate». Mjerisht dolën vetëm gjashtë numra, në prill 1922, pse, me urdhën të Qeverís së Tiranës, e cila nuk e shifte të mirë zhvillimin e Federatës, kjo i mbylli dyert.
Mbas mbylljes së Federatës, Gurakuqi, qi ishte edhe inspektuer i Arsimit të Prefekturën së Vlonës, u thirr në Tiranë prej Ministrit Rexhep Mitrovica për t’i ngarkue nji detyrë tjetër. Gurakuqi i proponoi Mitrovicës themelimin e Bibljothekës Kombtare. Mitrovica, i erdhi me andje dishirit të tij. I u vû pra punës me at zellin e tij qi e ka dallue përherë në detyrat e marruna përsipër: katalogoi librat e bibljothekës së Komisís Letrare të Shkodrës, të cilët ai vetë i pat sjellë në Tiranë nji vjet përpara; i kërkoi ndihmën e dy shtypshkrojavet të Shkodrës, t’asaj së Jezuitvet e të Françeskanvet, të cilat dërguen të gjitha botimet e veta, ndër të cilat koleksjonet e revistavet «Hylli i Dritës», «Lajmtari i Zêmrës së Krishtit» dhe «Zâni i Shno Ndout». Gurakuqi vetë dhuroi dyqind libra nga bibljotheka e vet private. Me 28 nanduer 1922 Bibljotheka Kombtare i hapi dyert. Folën në ketë rasë Rexhep Mitrovica e Karl Gurakuqi. Bibljotheka u vû nën varunin e Ministrís s’Arsimit.
Organizues i bibljothekës e i muzeumit
Aso kohe Ministrija e Arsimit gjindej në hapat e parë të jetës; kishte nevojë për personel e fuqi t’afta. Kështu Gurakuqi, n’organizimin e ri t’Arsimit Kombtar, u emnue Shef Seksjoni për mësimin filluer dhe të mesëm. Edhe ketu veprimtarija e tij qe e madhe. Ministrija, e shtyme nga Gurakuqi, thirri në Tiranë arheologun austriak, prof. Karl Patsch, themeluesin e muzeut të Sarajevës, për t’i vû themelet atij të Tiranës. Mbas Bibljothekës nuk duhej të mungonte as Muzeu. Edhe këtij i u vûnë themelet me nji ceremoni të posaçme: u mblodhën vjetërsít arheologjike të Shqipnís, sidomos në Pojan e në Durrës, e u radhitën me një sistem modern në sallat e gjana të ndërtesës ad hoc. Në bashkëpimim me Dr. Patsch-in. Gurakuqi i dha jetë radhës së botimeve «Shkrime Popullore dijtunije për Shkollë e Shtëpi». U botuen, të përkthyem nga Gurakuqi libërthat «Ilirët», «Dijtunija gjuhësore indo- europjane» dhe «Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipnís në kohën e kalueme». U përkthyen por nuk u botuen edhe katër blêj tjerë «Bota e Zogjvet në Shqipní», «Harti i vjetër shqiptár», «Paleontologjija» dhe «Kolonít Greke në Shqipní» (të gjitha prej Gurakuqit). Në ketë serí librash bashkëpunuen albanologët mâ në zâ gjermanë: prof. Karl Diener, atëherë rektor i Universitetit të Vjenës, prof. Otmar Reiser, prof. Camillo Praschniker, prof. Paul Kretschmer e prof. Karl Patsch.
Krahasme këto botime, Ministrija botonte edhe organin e vet «Revista Pedagogjike», e cila nisi të dalë me 1 shtatuer 1922. Drejtuer i parë i saj qe Salih Çeka, e mbas këtij, për nji kohë të shkurtë, Nebil Çika. Prej vjetit të dytë e mori drejtimin e saj Gurakuqi, i cili e e mbajti deri në vjetin 1927. Kjo e përkohëshme u quejt «Mësuesi» në vjetin 1928 dhe Gurakuqi qe gjithnji drejtuer për nëndë vjetë me radhë, deri në vjetin 1936.
Arsimtari e shkrimtari
Në vjetin 1924 përkthei libra shkolluer të De Amicis «Zemra», qi u ribotue në vjelin 1932 (të dyja botimet 18.000 kopje) e qi u përdorue si tekst shkolle për 15 vjetë me radhë.
Në vjetin 1924 u largue nga jeta nëpunsore e iu kushtue mësuesís. Veproi si profesor i shqipes në Shkollën Teknike të Tiranës, e cila drejtohej nga Harry T. Fullz, deri në vjetin 1926. Në kët vjet u themelue gjimnazi i Tiranës dhe Gurakuqi me dishrin e vet u shpërngul këtu si profesor i shqipes dhe i latinishtes e mâ vonë u emnue drejtuer i tij (1928 deri 1933). Në kët vjet u shtetizuen shkollat dhe Gurakuqit i u ngarkue edhe drejtorija e Shkollës së mesme femnore «Dako» në Kambëz (afër Tiranës). Për tre vjetë (1934-36) veproi si profesor i shqipes dhe i latinishtes n’Institutin Femnuer «Nâna Mbretneshë». Prej vjetit 1937 e deri në nandorin e vjetit 1944 qe nëpunës i naltë i Ministris s’Arsimit si Këshilltar Teknik e si Inspektor Epruer. Gjatë kësaj detyrës së fundit (1939-1944), nën kujdesin e Ernest Koliqit, Ministër i Arsimit, dha bashkëpunimin e vet të vlefshëm në përpilimin e tekstevet shkollore për shkollat e mesme: «Te Praku i jetës», «Rreze Drite», «Shkrimtarët Shqiptarë» (dy pjesë) dhe «Bota Shqiptare».
Gurakuqi qe pjestar komisjonesh të ndryshme: bani pjesë në komisjonin për pregatitjen e tekstevet shkollore në Ministrín e Arsimit tue dhanë ndihmesën e vet të çmueshme me këshille e me copa leximit; komisjoni për pregatitjen e kremtimevet në rasën e 25 vjetorit të pamvarsís shqiptare e pati nji ndër misat mâ puntorë; në ketë mbledhje me randësí kryesore mori përsipër botimin e folklorës shqipe në bashkëpunim me prof. Filip Fishtën. Këta të dy mblodhën dhe botuen tri vëllimet e para të kësaj radhe, të cilat ma vonë, nën dikasterin e Koliqit, u vijuen prej Gurakuqit deri në vëllimin e dhetë. Në këtë kolanë librash bân pjesë edhe Fjalorthi i çmueshëm i Don Nikollë Gazullit, të cilin Gurakuqi e qortoi, me lejen e auktorit, e përmirsoi, e shtoi dhe u kujdesue për botimin e tij.
Me shtytjen e Gurakuqit e me influencën e tij personale, Kryeministrija formoi nji Komisjon të posaçëm për ndrrimin e emnavet të katundevet e të qytetevet shqiptare me zanafillë të huej. Antarët e këtij Komisjoni, përveç Gurakuqit, qi bante edhe detyrën c sekretarit, qenë Mehdi Frashëri, Midat Frashëri, Sotir Kolca, Mati Logoreci, Teki Selenica. U punue gjashtë muej rresht dhe proces-verbalet me ndërimet e bâme i u përcuellën Parlamentit për ligjim.
Edhe në Komísjonin e pagzimit të rrugavet të kryeqytetit pranë Bashkís së Tiranës, Gurakuqi, si mis i tij dhe si sekretar, dha ndihmën e vet në përpilimin e listavet t’emërtimevet, – tue i nxjerrë këto nga historija dhe letërsija shqiptare.
Në Komísjonin për caktimin e termavet shkollore për shkollat fillore dhe të mesme në gjinín e Ministrís s’Arsimit, Gurakuqi pati nji pjesë me randësí.
Përveç Kongresit të Shoqnivet në Vlonë për të cilin u fol ma përpara, Gurakuqi mori pjesë në Kongresin e Albanologvet, qi në vjetin 1940, u zhvillue në Tiranë nën kryesín e Ernest Koliqit. Nga ky Kongres doli i formuem «Instituti i Studimevet Shqiptare». Me emnim ministruer Gurakuqi u shenue si mis i tij me cilsí letrari dhe bâni pjesë në Komisjonin Gjuhësuer, i cili pat nisë përpilimin e Fjalorit të Madh të Shqipes, tue marrë si bazë Fjalorin e punuem nga Mustafa Kruja dhe pat marrë masat për zavendsimin e fjalvet të hueja me krijimin e neologjizmavet.
Veprimtarija në mërgim
Në vjetin 1944 në fundin e shtatorit u largue nga Shqipnija për mos ta pà robnimin e vendit. Edhe në mërgim Gurakuqi nuk pushon së vepruemi. Në Vjenë o në Salzburg (1943-47) Akademija e Shkencavet të Vjenës i ngarkoi përpilimin e njij Fjalori të madh shqip-gjermanisht, të cilin e punoi me Ndue Palucën. Skedari i këtij Fjalori i u dorzue Akademís në fjalë; nji kopje e tij asht në duert e Palucës dhe tjetrën e ka Gurakuqi.
On. Rosolino Petrotta, frymzuesi i çdo nisjative qi kà për qëllim lulzimin e kulturës shqiptare, e ftoi prof. Gurakuqin në Palermo, tue i dhanun rasë me gjetë qetsín e nevojshme për vazhdimin e studimevet të tija.
Në Kongresin Albanologjik të Palermo-s me 1948, nën drejtimin e on. Petrotta-s, Gurakuqit i u ngarkue pjesa ma delikate t’organizimit t’asaj mbledhjeje prej kah buroi themelimi i «Qendrës Ndërkombtare për Studimet Shqiptare». Ai edhe sot e kësaj dite vepron si mis e sekretár. Ashtu edhe në mbledhjen e dytë letrare e gjuhësore mbajtun në tetorin e vjetit 1954, Profesori i Ynë spikati për veprimtarí të kujdesëshme.
Universiteti i Palermës, ku Gurakuqi vepron si Docent qysh prej vjetit 1948, i ka ngarkue përpilimin e Fjalorit të madh të shqipes shqip-italisht, të cilin âsht tue e punue dhe mbrenda pak kohe do t’a dorzojë për botim. Përveç Fjalorit, ka botue në dispensa gramatikën e shqipes, për studentat universitarë, Gurakuqi, edhe pse i ngarkuem me mësimin n’universitet, i papërtueshëm si gjithmonë, nuk din me i dhanë qetsí trupit të vet. Midis ngushticavet qi i shkakton mërgimi, nuk e humbë aspak vullndetin e vet rinuer të veprimit. Në verën e vjetit 1954 mbajti në Pjanë nji kurs shqipjeje për mësuesit aloglotë të kolonivet arbreshe të Sicilís me nji përfitndim qi pat miratimin e auktoritetevet arsimore të vendit, të cilat vjet iu garkuen përsëri.
Gurakuqi bashkëpunoi gadi në të gjitha revistat dhe fletoret shqipe. E nisi veprimin fletoràr në vjetin 1910 në fletoren «Posta e Shqipnís» në Shkodër nën drejtimin e Fishtës; e vijoi në fletoren «Fjalë e Lirë» t’Abdyl Kuçit në Vlonë. Qe kryeredaktuer i fletores «Shekulli i Ri» në Durrës (1928); bashkëpuntuer i rregullshëm i fletores «Telegraf» të K. A. Çekrezit në Tiranë (1926-28); bashkëpunoi në fletoren «Besa» (1931) nën drejtimin e Javer Hurshitit, ku botoi si nënfletë librin «Si u shkaktue Lufta e Madhe», i cili n’at vjet u botue edhe si libër në vedi; në vjetin 1930 qe bashkëpuntuer në fletoren e Tiranës «Drita» me Mati Logorecin, Zoi Xoxen, Gjergj Bubanin, Stefan Shundin, Dhimitër Falon dhe Ndoc Vasín. Veprimin e vet ma të madhin e shkrini në fleloren «Vullneti», e përditëshme, nën drejtimin e Harilla Bakallit, tue e mbajtë me kryeartikuj e shkrime tjera të randësishme shoqnore – gjuhësore. Sot punon n’organin e Blokut Kombtar Indipendent «L’Abanie Libre» me artikuj gjinije së ndryshme gadi në çdo numër, herë me emnin e vërtetë,herë me pseudonime e herë pa ndonji shenim të posaçëm. Edhe fletorja «Shqipërija», organ i Komitetit Kombtar në mërgim, ka botue artikuj të Gurakuqit.
Përveç revistavet q’i u përmendën mâ sipër, patën bashkëpunimin K. Gurakuqit edhe këto: «Hylli i Dritës»; «Edukata e Ré» (1924); «Diturija» e Lumo Skëndos (1926-1929); «Minerva» e Nebil Çikës (1932); «Shkolla Shqiptare», organ i Ministris s’Arsimit (1939); «Fletorja Mjeksore Shqiptare», dymuejore nën drejtimin e prof. Pietro Stefanutti (1942) si redaktor për pjesën shqipe; «Illyria», e përjavëshme kulturore-politike, (1934-1936), ku botoi në vijime Fjalorthin e fjalvet të rralla e tjera shkrime gjuhësore; «Shkëndija» e Ernest Koliqit (1940), etj.
Përveç libravet qi u përmendën gjatë kësaj përmbledhjeje të jetëshkrimit, Gurakuqi botoi edhe këta: a) «Serbët e Shqiptarët», përkthim nga dr. Milan Sufflay (1936); b) «Rrjedhja e Punvet në Shqipni», përkthim nga Alfred Rappaport (19211); c) «Lula», roman i shkruem nga Fabian Barcata, përkthye në vjetin (1930); c) «Gramatika Latine» (1938); d) «Ushtrimet e Gramatikës Latine» (1930); dh) «Syntaksa Latine» (1939); e) «Vjersha të zgjedhuna për klasat e ulta të shkollavet të mesme» në vj. 1935 (tre blej); f) «Historija e Letërís Romane» (1941).
Ndër dorëshkrimet e Gurakuqit âsht për t’u përmendë përkthimi nga latinishtja i veprës së Marin Barletit «Historia de Vita et Gestis de Georgi Kastrioti» dhe «Parime Letërsije -Stilistika».
L’ALBANIE LIBRE, 28 prill 1956, faqe 3