Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë fjalimit të tij të lamtumirës, paralajmëroi për krijimin e një oligarkie të individëve ultra të pasur që po kërcënon demokracinë dhe të drejtat themelore të amerikanëve. Ai vuri në dukje përqendrimin e pushtetit dhe pasurisë në duart e një grupi të vogël, duke e krahasuar këtë situatë me paralajmërimet e ish-presidentit Dwight Eisenhower mbi rreziqet e sektorit ushtarako-industrial. Biden shtoi se sektori teknologjik-industrial përbën gjithashtu një kërcënim të madh.
Fjalimi i tij vjen pas zgjedhjes së Donald Trump si president, me mbështetjen financiare të miliarderëve si Elon Musk, Mark Zukerberg dhe Jeff Bezos. Biden, që nuk arriti të siguronte një mandat të dytë pas presionit nga partia e tij, pranoi në një letër të hapur se nuk i realizoi të gjitha premtimet e tij.
Në fjalimin e tij, Biden përmendi disa nga arritjet kryesore, përfshirë menaxhimin e pandemisë, mbështetjen e prodhimit dhe uljen e kostos së barnave. Ky fjalim shënon fundin e pesë dekadave të tij në politikë, ku përfshihen shërbimi si senator, nënpresident dhe president i SHBA-së.