(Londër, 31 tetor 1795 – Romë 23 shkurt 1821)
Nga Leka Ndoja
(Ne nji udhëtim në Mbretërinë e Bashkuar, bleva në Londër ndër të tjera tri libra nga botimet “Wordsworth” të poetëve të ashtuquejtun të “romantizmit të Zi”, John Keats, William Blake, Oscar Wilde që ishin thuajse të ndaluem në “letërsinë tonë të tamtameve”. Sic shihet vështirësitë ishin të mëdha në përkthimin e odeve të Keats-it dhe të Blake, sidomos për përkthimin sipas metrikës origjinale, odet e Keatsit ishin me vargje 7 rrokshe. Me nji negociatë me autorin për të arritë gjasëramjet – rimat – e përktheva oden me vargje 9 rrokshe. Këtë procedurë si negociatë përkthimi sic rekomnadon Umberto Eko e pata arritë edhe në perkthimin e disa poezive të Montales. Në të vërtetë vetëm në nji poezi “Kashtare dalë nga muri” e pranova nji kompromis me vargun origjinal.
Bashkëbisedimi poetik me botën e përtejme asht veçori e poezisë angleze dhe në këtë rast autori ka motiv dashurinë me nji fantomë, demon a hyri, pjesë e legjendave nordike. Këtë gjini poezie, baladën, e shpalosën këta autorë në nji interpretim social si kontrast ndaj ngarendjes së Britanisë e të Europës drejt industrializmit dhe humbjes së traditës poetike.)
Leka Ndoja
Ode
Dashuro
I
Thue dashuro, por me nji za
Ma të dlirë se nji murgeshë
N’urata t’ambla përhumbë
Mes tinguj kumbonash reshë –
Dashunomë vërtetë!
II
Thue dashuro, por me nji buzëqeshje
Ftohmë si agshol në shtator,
Si murgeshë e Shën Kupidit,
Që i mban prushin javor
Dashuromë vërtetë!
III
Thue dashuro, por buzët e tua
Ngjyrë koral hare s’dëftojnë
Ashtu si koral në det –
Ato kurrë puthje s’lakmojnë –
Dashuromë vërtëtë!
IV
Thue dashuro, por duart tua
Nuk ia kthejnë rrokjes së valë,
Si shtatore guri ngjajnë –
Nsa të miat ndjenjash kallë –
Dashuromë vërtetë!
V
O shfry nji fjalë a dy prej flake
Qeshu n’ato fjalë u përvlofsha,
Rrok si dinë dashnorët-o puth
Dhe zemrës sate u mbulofsha!
Dashuromë vërtetë!
LA BELLE DAME SANS MERCI*
I
Ah, ç’ta mundojë atë fatkeq,
Fillkat dhe që dyllë i verdhë endet,
Shavarina fishkë buzë liqenit
Dhe s’këndojnë shpendët
II
Ah, ç’ta mundojë atë fatkeq,
Kaq sfilitë dhe kaq syhjekë?
Hambari i ketrit majë më majë,
Dhe të lashtat pjekë.
III
Pashë nji zambak në ballin tand,
Me bulza dhimbje e vesë zjarrmí,
Dhe faqja trandafil i zbehtë
Sa fishkë gjithunjí.
IV
Takova nji zonjë ndër luadhe
Gjith e kandshme, Zanë fëminore,
Me flokë të gjatë, me kambë pendë,
E sy egërsore.
V
E ngjis mbi kalin tim të trokut,
Dhe tjetër s’pashë der dita u fik,
Përkundej shtigjesh, tue këndue
Nji kumb magjik.
VI
Kunorë thura për kryet e saj,
Dhe byzylykë, dhe brez të mermë,
Më hodhi sytë me dashuni,
Dhe fshani lehtë.
VII
M’i shfaqi rranjët e galdimit,
Dhe egërsinë mjaltë, dhe vesë mannet,
Dhe nji gojë përçudshëm tha:
Të due vërtet.
VIII
Më shpu kah guva e saj lugate,
Dhe atje më kqyri dhe shfreu thellë,
Dhe atje mbylla sytë e egër brengë –
Ia putha të flenë.
IX
Dhe atje përgjumshëm përmbi myshk,
Dhe atje andrrova, ah ç’të ngjarë,
Andrra e mbrame që prore andrroja
Majë pyrgut acar.
X
Pashë regjë dyllë, princesha po ashtu,
Ushtarë dyllë, dyllë-morti ravë-ravë,
Tue thirrë: “La belle dame sans merci”
Të mban ty skllav”.
XI
Ua pashë buzët e unshme në muzg
Me kërcnimin tmerr, gojësh çarë,
Dhe u zgjova dhe u gjeta këtu
Majë pyrgut acar.
XII
Dhe kësisoj qendroj këtu
Fillkat dhe dyllë i verdhë tue u endë.
Risht shavarrina fishkë buzë liqenit,
Dhe s’këndojnë shpendë.
*”La belle dame sans merci” – fr. Zonja e pamëshirshme, titulli marrë nga poema La Belle Dame sans Mercy nga Alain Chartier. Motivi i poemës asht historia e nji kalorsi dhe e nji zonje të mrekullueshme.
Botimi, Rilindja, 13 dhjetor 1998, f. 9