Falenderoj Akademinë Suedeze për të cilën vepra ime ishte e denjë për këtë nder shumë të madh.
Në zemër mund të ketë dyshime nëse e meritoj Çmimin Nobel midis njerëzve të tjerë të letrave për të cilët kam respekt dhe meritojnë nderim – por nuk kam asnjë dyshim për kënaqësinë dhe krenarinë ngaqë po më jepet mua.
Është bërë zakon që marrësi i këtij çmimi të paraqes komente akademike ose vetjake për natyrën dhe drejtimin e letërsisë. Sidoqoftë, mendoj se do të ishte gjë e mirë në këtë kohë të veçantë të merreshin parasysh detyrat dhe përgjegjësitë e larta të krijuesve të letërsisë.
I tillë është prestigji i Çmimit Nobel dhe i këtij vendi ku unë qëndroj se jam i prirur, të mos flas si njeri mirënjohës dhe shfajësues, por të gjëmoj si luan nga krenaria për profesionin tim dhe për njerëzit e mëdhenj dhe të mirë që e kanë praktikuar atë në shekuj.
Letërsia s’u shpall me dekret nga një priftëri kritike e zbehtë dhe e dobësuar duke kënduar litani në kisha të zbrazëta – as nuk është një lojë për të zgjedhurit e veçuar nga bota, murgjit që rrojnë me të lypur duke i rënë borisë prej bronzi të dëshpërimit pa pikë fuqie.
Letërsia është po aq e vjetër sa e folura. U rrit prej nevojës për të dhe s’ka ndryshuar vetëm është bërë më e nevojshme. Skaldët, bardët, shkrimtarët s’janë të veçuar dhe të vetëm. Që nga fillimi, funksionet, detyrat, përgjegjësitë e tyre janë dekretuar nga natyra e qenies njerëzore. Njerëzimi ka kaluar një kohë të pezullt dhe të zymtë pështjellimi. Paraardhësi im i madh, William Faulkner, duke folur këtu, e përmendi atë si një tragjedi të frikës fizike universale, e cila na ka pushtuar prej kaq shumë kohësh sa vetëm për zemrën njerëzore në luftë me veten, vetëm për atë ia vlen të shkruash. Faulkner-i, më shumë se pjesa më e madhe e njerëzve, ishte i vetëdijshëm për forcën ashtu si edhe për dobësinë njerëzore. Ai e dinte që të kuptuarit dhe zhdukja e kësaj frike janë një pjesë e rëndësishme e arsyes së qenies së shkrimtarit.
Kjo s’ është diçka e re. Detyra e lashtë e shkrimtarit s’ka ndryshuar. Ai akuzohet pse nxjerr në dritë gabimet dhe dështimet tona të mëdha, për filtrimin në dritë të ëndrrave tona të errëta dhe të rrezikshme me qëllim që ato të bëhen më të mira.
Për më tepër, shkrimtari është i ngarkuar të shpall dhe të kremtojë aftësinë e provuar të njeriut për madhështinë e zemrës dhe shpirtit – për dinjitetin e shfaqur në disfatë, për guximin, dhembshurinë dhe dashurinë. Në luftën e pafund ndaj dobësisë dhe dëshpërimit, këto janë flamujt e ndritshëm të shpresës dhe arritjeve më të mëdha. Kam bindjen se një shkrimtar që s’beson me pasion në përsosmërinë e njeriut, i mungon përkushtimi ndaj këtij besimi dhe nuk zë ndonjë vend të veçantë në letërsi.
Frika e tanishme universale është pasojë e një rritjeje të shpejtë të njohurive tona dhe e manipulimit të disa faktorëve të rrezikshëm në botën fizike. Është e vërtetë që fazat e tjera të të kuptuarit ende s’e kanë arritur këtë hap të madh, por s’ka asnjë arsye të hamendësohet se ato s’mund ose nuk do të ecin përpara. Në të vërtetë, është pjesë e përgjegjësisë së shkrimtarit të sigurohet se e bëjnë. Me historinë e gjatë dhe krenare të njerëzimit për të qëndruar i vendosur përballë të gjithë armiqve të saj natyrorë, ndonjëherë përballë thuajse humbjes dhe zhdukjes së sigurt, do të tregoheshim frikacakë dhe të pamend po të largoheshim nga fushëbeteja në prag të fitores sonë më të madhe të mundshme.
Kuptohet që kam lexuar për jetën e Alfred Nobelit; njeri vetmitar, thonë librat, njeri mendimtar. Ai përsosi lirimin e forcave shpërthyese të afta për të mirën krijuese ose të keqen shkatërruese, pa zgjedhje, të padrejtuara nga ndërgjegjja ose gjykimi.
Nobeli pa disa nga keqpërdorimet mizore dhe të përgjakshme të shpikjeve të tij. Ai madje mund ta ketë parashikuar rezultatin përfundimtar të të gjitha hulumtimeve të veta – mundësinë e përdorimit të dhunës deri në shkatërrimin përfundimtar. Disa thonë se ai u bë cinik, por s’e besoj. Mendoj se u përpoq të shpikë një mënyrë kontrolli – një valvul sigurie. Mendoj se më në fund e gjeti atë vetëm në mendjen dhe shpirtin njerëzor.
Për mua, mendimi i tij mishërohet qartë në kategoritë e këtyre çmimeve. Ato ofrohen për njohuri të shtuara dhe të vazhdueshme të njeriut dhe botës së tij – për të kuptuarit dhe komunikimin, të cilat janë funksionet e letërsisë. Dhe ato ofrohen për demonstrim të kapacitetit për paqe – kulmi i të gjithë arritjeve të tjera.
Më pak se pesëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, dera e natyrës u zhbllokua dhe na u ofrua barra e tmerrshme e zgjedhjes. Ne kemi uzurpuar shumë nga fuqitë që dikur ia kemi mveshur Zotit. Të frikësuar dhe të papërgatitur, kemi marrë si të vërtetë sundimin mbi jetën dhe vdekjen e të gjithë botës, e të gjitha gjallesave. Rreziku, lavdia dhe zgjedhja qëndrojnë përfundimisht te njeriu. Testi i përsosmërisë së tij është afër.
Tani që zotërojmë një fuqi si e Zotit, duhet të kërkojmë te vetja përgjegjësinë dhe mençurinë që dikur u lutëm që të kishte ndonjë hyjni. Vetë njeriu është bërë rreziku ynë më i madh dhe shpresa jonë e vetme. Kështu që sot, shën Gjoni, apostulli, mund të perifrazohet: Në fillim dhe në fund është fjala, dhe fjala është njeri, dhe fjala është me njeriun.
Përktheu: Granit Zela