“Krenaria më e thellë e autorit, siç e kam përjetuar unë, ka të bëjë me aftësinë për të mbajtur një masë të organizuar imazhesh duke lëvizur përpara, për të ndjerë jetën që lind nën duart e tua. Por pa dyshim, letërsia artistike është gjithashtu një mënyrë spiunimi; ne e lexojmë sikur po shikojmë nga dritarja ose po dëgjojmë thashetheme, për të mësuar se çfarë bëjnë njerëzit e tjerë. Vështrimet e brendshme depërtuese të të gjitha llojeve janë të mirëseardhura; por asnjë urtësi nuk do të zëvendësojë instinktin për veprim dhe një dëshirë ndoshta të egër për të mbajtur, nëpërmjet zërit tënd, një shpirt tjetër të magjepsur”.
Mendoj se jetojmë në një epokë të orientuar drejt syve dhe se filmat, ashtu edhe grafika, artet e pikturës, na ndjekin, i ndjekin shumë njerëzit e fjalës. Kam shkruar për xhelozinë tonë në recensën tim për Rob Grije dhe teoritë e tij. Me pak fjalë, jemi xhelozë sepse artet pamore kanë magjepsur të gjithë njerëzit, të pasurit dhe të rinjtë”.
“Letërsia ime për veprimet e përditshme të njerëzve të zakonshëm ka më shumë histori sesa librat e historisë, ashtu siç ka më shumë histori frymëzuese në arkeologji sesa në një listë e luftërave të shpallura dhe e qeverive të ndërruara”
“Për seksin në përgjithësi, le ta kemi në letërsi, aq të detajuar sa duhet, por real, real në lidhjet e tij sociale dhe psikologjike. Le të heqim marrëdhënien seksuale nga kthina e fshehtë dhe nga altari dhe ta vendosim në vazhdimësinë e sjelljes njerëzore”.
“Agresiviteti në familjen e klasës së mesme, seksi dhe vdekja si gjëegjëza për kafshën që mendon, ekzistenca sociale si sakrificë, kënaqësitë dhe shpërblimet e papritura, korrupsioni si një lloj evolucioni, këto janë disa nga temat. Jam përpjekur të arrij objektivitetin në formën e rrëfimit. Vepra ime është meditim, jo shugurim, në mënyrë që intervistat si kjo t’i ndiesh si një detyrim për t’u rritur, një qëndrim. Nuk i mendoj librat e mi si udhëzime predikuese në një luftë idesh, por si objekte, me forma dhe struktura të ndryshme dhe misterin e çdo gjëje që ekziston. Mendimi im për artin që në krye të herës ka qenë se artisti sjell në botë diçka që nuk ka ekzistuar më parë dhe e bën pa shkatërruar diçka tjetër. Një lloj përgënjeshtrimi i ruajtjes së materies. Kjo ende duket se është kryesore, magjia, thelbi i kënaqësisë së të shkruarit”.
Shkëputur nga intervista për The Paris Review, 1967.
Përktheu Granit Zela