Kreu në detyrë i bashkisë së Himarës po hetohet për shkelje të barazisë në tendera dhe tjetërsim të pronës publike në lidhje me ndërtimin e një resorti nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Jorgo Goro u kallëzua në SPAK nga Fredi Beleri i cili rezultoi fitues në zgjedhjet lokale, por një javë para procesit u prangos me akuzën e blerjes së votave.
“Të gjitha veprimet e kundërligjshme të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë kryer për shkak se kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve dhe mbi këtë pronë, pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga shtetasi Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ministres se Mbrojtjes në atë kohë, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme.” – thuhet ndër të tjera në padinë e dorëzuar ndaj Jorgo Goros.