Nga Ermal Mulosmani
Më vjen shumë mirë që Jorida Tabaku e mori mandatin. Madje, në një periudhë kohe kur ishte e dyta më e votuar, më vinte shumë keq që isha kundër saj (po ta merrte mandatin i dyti i listës së hapur të PD-së, e humbte mandatin Mundësia – zgjedhja ime e deklaruar për këto zgjedhje).
Pse më vjen mirë që e fitoi? Sepse e keqtrajtuan, e përçmuan, e shanë dhe e etiketuan. Nuk e deshën, e trajtonin si mish i huaj. Shumë prej tyre do të ishin më dakord që PD të kishte vetëm 12 deputetë, sesa 12 + Joridën.
Nëse ka diçka që më ka impresionuar, ka qenë mënyra sesi ajo i sfidoi të gjithë. Sali Berishën të parin – duke e evituar. Shkoi derë më derë në gjithë qarkun, nga mëngjesi në mbrëmje, dhe ia arriti që 20 mijë vetë ta kenë atë zgjedhjen e preferuar. Është njeriu më i votuar në PD. Se këto listat e hapura janë edhe njëfarë referendumi popullor. Ti shihesh në pasqyrë dhe e kupton se ku je. Dhe në pasqyrë u reflektua Jorida si fytyra e PD-së që njerëzit duan.
Të gjithë berishistët e kanë halë në sy. Sepse ajo nuk e do Liderin e tyre njësoj si ata.
Jorida nuk shquhet për retorikë të fortë politike. As nuk kam spikatur ndonjë cilësi të veçantë intelektuale që do të bënte diferencë të madhe me të tjerët. Po, ajo është njeri normal. Është e përmbajtur, korrekte, flet me kokën e vet, vë logjikën në punë, nuk imiton liderin, vishet jo ekstravagante dhe është e pashme. Një grusht cilësish që në pamje të parë nuk duket të kenë ndonjë diferencë me shumë njerëz normalë të jetës publike.
Bash këtu, te normaliteti i Joridës, e shoh problemin. Nëse njerëzit preferojnë një njeri normal para militantëve berishistë, besnikëve, zhurmaxhinjve, protagonistëve të përditshëm të Doktorit, do të thotë se duan të protestojnë kundër tyre. Ata janë anormalë.
Duan njerëz normalë, jo kukulla politike.
Ekuilibri i Joridës në qëndrime, të qenurit vetvetja, normaliteti i saj, u shpërblye.
Fitorja e saj ia shton edhe më shumë shijen e hidhur të humbjes militantëve besnikë, taborrit të Doktorit. Ata e përballojnë deri diku humbjen me Edi Ramën, ama këtë me Joridën… këtë e kanë vështirë ta kapërdijnë!