Nga Agim Morina

Joseph Borrelli asht katalonas dhe politikan me bindje të majta. Por, me gjithë këto veçori. që do të supozohej me qenë pozitive për ne si shqiptarë, – dmth. një katalonas do të duhej me e kuptu ma lehtë hallin e një shqiptari të Kosovës, – Borrelli asht një Rrahman Morinë i Katalonisë, një Sinan Hasan apo Ali Shukrija. Baba i tij ka qenë i burgosun prej regjimit fashist të Francos, por vetë Josephi kishte ambicie të tjera. Në fushën akademike, depërtoi nga një mësues i thjeshtë deri te titujt akademikë në matematikë e ekonomi. 

Ambiciet e tija politike, natyrisht, e kanë ba me harru burgun e babës, regjimin e egër fashist të Francos dhe trajtimin e pabarabartë të katalonasve nën këtë regjim. Le të përkujtojmë: katalonasit kanë qenë të trajtuem nga regjimi spanjoll sikurse shqiptarët nga regjimi serb. Gjuha katalonase ka qenë e ndalueme, nuk asht leju me u mësu në shkolla, as me u shtypë libra në këtë gjuhë dhe, për ma tepër, fëmijët nuk janë leju me u pagëzu me emna katalanë (sikurse shqiptarët në Maqedoni gjatë vjetëve ‘80 e ’90 të shek. XX). Ajo që quhet “luftë civile e Spanjës”, në Kataloni ka qenë luftë kundër pushtuesit spanjoll. Kjo asht edhe arsyeja që Katalonia ka pagu çmimin ma të naltë të kësaj lufte dhe ka dalë ndër rajonet ma të shkatërrueme nga kjo luftë. 

Vetëm mbas vdekjes së fashistit Franko, me 1975, Katalonia ia doli me marrë një autonomi politike e kulturore me kushtetutën e vitit 1978, pra, 4 vjet mbas autonomisë së Kosovës në Jugosllavi. Në vitin 1983  forca policore katalanase që quhen ‘Mossos d’Esquadra’ hynë nën komandën e Gjeneralitetit (njësisë politike autonome të Katalonisë), por kjo forcë u neutralizu mbas referendumit të 1 tetorit 2017 dhe kur me 27 tetor 2017 u shpall deklarativisht pavarësia e Katalonisë qeveria qendrore pezulloi Këshillin Egzekutiv dhe shpërndau kuvendin. Mirëpo, në zgjedhjet lokale që u shpallën së shpejti, partitë pro pavarësisë fituen zgjedhjet. Kryetari i Katalonisë, Carles Puigdemonti, dhe pesë ministrat e kabinetit të tij u arratisën nga Spanja dhe kërkuen strehim politik, ndërsa ata që mbetën, si Oriel Junquerasi, u dënuen me burgime për “kryengritje” dhe “shpërdorim fondesh publike”. Jemi në fillim të shekullit XXI dhe krejt këto ndodhin brenda një shteti të BE-së!

Një nga faktet që tregon ngjashmëninë e veprimeve fashiste të Spanjës asht edhe rasti i kryetarit të Katalonisë nga viti 1934 e gjatë gjithë Luftës Civile në Spanjë, Lluís Companysi, i cili u arrestu prej nazistëve në Francë (në atë kohë e pushtueme nga Gjermania naziste) e iu dorëzu spanjollëve fashistë të Francos. Aj u torturu e u egzekutu me 1940 në Barcelonë. Një trajtim të ngjashëm patën edhe politikanët e Katalonisë në vitin 2017, kur u detyruen me ikë në shtetet e tjera të BE-së e me kërku strehim politik, mbas referendumit gjithëpopullor për pavarësi që u mbajt në Kataloni. Dallimi i vetëm asht që këta të fundit ende nuk janë torturu dhe dhe nuk janë egzekutu.

Nëpër të gjitha këto ngjarje, Sinan Hasani apo Ali Shukrija i Katalonisë, Joseph Borrelli, biri i një bukëpjekësi, kaloi pa therë në kambë. Për ma tepër u ngjit edhe ma shpejt shkallëve të karrierës politike. Karrierën e nisi si ministër i financave me 1982 në qeverinë e Felipe Gonzalezit. Në këtë kohë plasi një skandal: dy bashkëpunëtorët e tij ma të ngushtë kishin marrë miliona nga një kompani që kishte kërku me i ikë taksave. 

Zgjedhja ma e mirë për Borrellin, mbas këtij skandali, ishte me u largu nëpër zyrat burokratike europiane. Aty u zgjodh kryetar i Parlamentit Europian 2004-2007 dhe mbeti si deputet deri me 2009. Borrelli asht federalist europian, që synon një Europë ma të centralizueme.  Ky qëndrim shfaq një problem të kandvështrimit të tij kundërthanës: një Europë mundet me qenë ma e bashkueme, por vetëm tue qenë ma e barabartë dhe jo ma e pabarabartë. Katalonasit, baskët, shqiptarët e barabartë me kombet e tjera munden me kriju një Europë të fuqishme. E kundërta asht e pamundun. Këtë e ka dëshmu çdo njësi federale politike e krijueme ndonjëherë. 

Pasi doli nga Parlamenti Europian Borrelli u ba anëtar i bordit të kompanisë ‘Abengoa’ dhe kryetar i Institutit Universitar Europian në Firencë. Mirëpo, me i mbajt këto dy poste krijonte konflikt interesi, prandej mbas dy vjetësh iu desh me dhanë dorëheqje. 

Dhe nuk ishte vetëm kjo kundërshti në punët e tij: në vitin 2018 regulatori i bursës në Spanjë (CNMV) sankcionoi Borrellin për shkak të shitjes së aksioneve prej 9 mijë eurosh që i takonin ish-grues së tij. Shitja kishte ndodhë në nandor 2015, në muejin e njëjtë kur kompania kishte nisë procedurat e falimentimit, gja që kishte shaktu ramje marramendëse të vlerës së aksioneve. Borrelli pranoi se shitja kishte qenë “gabim”, por këmbënguli se aj vetë nuk kishte përfitu kurrgja. Mbas krejt këtyre ngjarjeve aj iu kthy punës në universitet. Mirëpo shpëtimi i radhës erdhi me fitoren e socialistëve spanjollë me 2018 dhe kryeministri Sánchezi.  

Ringjallja politike e Borrellit nuk erdhi vetëm për shkak se përkrahu Sánchezin, por për shkak se kishte marrë tashma një qëndrim të qartë kundër pavarësisë së Katalonisë. Skenës politike të Spanjës i duhej një palaço katalanas që do ta luante rolin e “balancuesit”, ngaqë katalonasit ishin ma të bashkuem se kurrë ma parë me synimin për pavarësi. Dhe për këtë qëndrim Borrelli u shpërbly me postin e ministrit të Jashtëm. Sapo e mori postin, nisi edhe fushatën pro-spanjolle, – në thelb anti-katalonase –   tue kriju një agjenci në ministrinë e tij të qujtun Spanja Globale, ku promovohej reputacioni i Spanjës në botën e jashtme, reputacion që kishte ra poshtë me reagimin ndaj vullnetit të katalonasve të shprehun me referendum. Për ma tepër Borrelli ngriti edhe një aktakuzë kundër qeverisë autonome të Katalonisë ngaqë kishte kriju lidhje “me botën e jashtme”. 

Për shkak të ambicieve të sëmuta politike, Borrellit i erdhi një goditje nga vetë katundi i lindjes. Dy të tretat e katundit katalan, La Pobla de Segur, votuen për pavarësinë e Katalonisë. Dhe ashtu qysh ndodh me çdo faqezi tjetër që vepron në kundërshti me vullnetin e popullit të vet, edhe bashkëfshatarët e Borrellit organizuen referendum për heqjen e pllakës me emnin e tij nga një rrugë e katundit, ku e kishin vu ma përpara për nder të tij.  Ndërsa qeveria e Katalonisë u ka shkru letra të shumta deputetëve të Parlamentit Europian dhe qeverive të BE-së me akuzën se Borrelli po përdorte spiunazhin për me i mbikëqyrë misionet e jashtme të Katalonisë. 

Edhe në rrethet politike Borrelli njihet si njeri që nuk ngurron me përdorë gjuhë të randë e me shpërthy prej zemërimi. Ky, gjithsesi, nuk asht një virtyt për një diplomat. Por i ka hije një aparatçiku, një arroganti sahanlëpimës që ndrydh besnikërisht atë që asht përfundi, për m’ia ba qejfin atij që e ka përsipri dhe që e shtyp atë vetë. Ky lloj i shërbëtorit të shërbëtorit asht njeriu i fundit që u desh me qenë pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe të ashtuqujtunës Serbi. Por, ndonjëherë, nëse loja luhet mirë, një aparatçik i llojit të Borrellit, një Ali Shukrija katalonas, mundet me shërby për të mirë: nëse as ky nuk mundet me i shty përpara agjendat e Serbisë klerofashiste, atëherë përfitimi politik i Kosovës ka me qenë shum ma i mundshëm, sepse nuk ka me pasë dëshmi ma të fuqishme se kjo për burokratët e zyrave të përfenduna europiane se Kosova asht në të drejtën e vet dhe nuk ban kompromis me këtë të drejtë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *