Veprimtari, shkrimtari dhe këngëtari i njohur, Jusuf Gërvalla, qe e shkruar për të të jetonte vetëm deri në moshën 37-vjeçare. Veprimtaria e tij mbetet pas, e paharruar për popullin shqiptar

I lindur më 1 tetor 1943, Jusuf Gërvalla do të njihej më pas si shkrimtar, veprimtar i shquar e muzikant. Ai lindi në një familje patriote në Dubovik të Deçanit, ku edhe kreu shkollën fillore, ndërsa atë të mesmen e përfundoi në Pejë.

Studimet e larta i përfundoi mes kryeqytetit të Kosovës dhe atij slloven. Fillimisht, punoi si gazetar në Shkup e Prishtinë, gjersa më pas filloi të shkruajë dhe kompozojë. Kitara ishte arma e tij e fortë…Jusuf ishte fëmijë i dytë i familjes Gërvalla, gjersa vëllezërit e tij ishin: Avdyli, Hyseni dhe Bardhoshi.

Përkundër mundësive të kufizuara ekonomike të familjes, Jusuf Gërvalla arriti të shkollohej, duke plotësuar ëndrrën e tij të madhe për të arritur në jetë.

Më 27 shkurt 1967, kur ishte vetëm 21-vjeçar, vendos të martohet me dashurinë e jetës së tij, Suzanës dhe si fryt i kësaj dashurie erdhën edhe dy fëmijët: Premtoni dhe Donika.

Jusuf Gërvalla njihej si një nga gazetarët më në zë, të gazetës “Rilindja”. Në vitin 1968, nis karrierën si gazetar dhe përthyes në gazetën e asaj kohe, ”Flaka e Vëllazërimit”, ku përkthente në shqip, nga gjuha serbo-kroate-sllovene. Ndërkohë, pesë vjet më vonë, nis punën si gazetar në “Rilindje”, ku shkruante mbi temat muzikore dhe ansamblet muzikore të kohës. Por, atdhetarizmi spikat tek ai në moshë fare të re, kur vendos të bëhet aktivist në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, të udhëhequr asokohe nga Adem Demaçi.

Për të punuar fshehurazi armikut, Jusuf Gërvalla dhe bashkëpunëtori i tij, Sabri Novosella, do të gjenin një ide origjinale, aq sa edhe interesante për shpërndarjen e traktateve të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Sipas rrëfimit të gruas së tij, Suzanës, veprimtari i shquar, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, fusnin në çantën e djalit të Jusufit, Premtonit, traktatet që ai më pas, i dorëzonte në rrobaqepësinë e Sabriut, ngase e kishte afër me shkollën ku vijonte mësimet. Kështu vazhdoi shpërndarja e tyre, për vite me radhë, derisa një veprimtari e tillë ra në syrin e armikut, në vitin 1979.

Me të marrë vesh këtë, forcat policore jugosllave bastisën shtëpinë e familjes Gërvalla në Dubovik, nga ku të arrestuar përfunduan vëllezërit e Jusufit: Hyseni dhe Avdyli.

Përkundër faktit që veprat e tij letrare, nuk janë shumë të njohura, Sabri Hamiti u kujdes që në vitin 1992, të jetësojë krijimtarinë e tij, në një botim të vetëm. Në letërsi, Jusuf Gërvalla nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë, që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.

Ai ka dy përmbledhje me poezi të titulluar “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij, merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”.

Në vëllimin e tretë poetik, “Shenjat e shenjta” (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë dhe elemente si “hije”, “pluhur”, “frikë”, “terr”, “ftohtë”, “varr”. Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na paraqet tablo tejet të qëlluar të groteskut që e quajmë “jeta”.

Duke qenë një adhurues i artit, Jusuf Gërvalla kishte një talent të papërshkrueshëm edhe në muzikë. Ai ishte autor i shumë këngëve të njohura, gjithashtu luante edhe në kitarë.

Ndër këngët që mbahet mend është “Kënga e bilbilit”, muzikën dhe tekstin e të cilës, i realizoi vetë. Kjo këngë, që është një përpunim i mençur i këngës myzeqare “O kjo anë e lumit”, shquhet për vargjet plot kuptim dhe jetë, që e bënë të pavdekshme.

Më 17 janar të vitit 1983, në Untergrupenbach të Gjermanisë, dy vrasës të panjohur kryen një atentat ndaj një veture të tipit BMW 316, ku mbesin të vdekur dy persona dhe një i lënduar rëndë.

Bardhosh Gërvalla  dhe Kadri Zeka mbetën të vdekur pasi dy persona anonimë sulmuan veturën e tyre dhe i vranë ata me breshëri plumbash, ndërsa Jusuf Gërvalla mbeti i lënduar rëndë, por më pas u nda nga jeta. Ngjarja që tronditi edhe shtetin gjerman asokohe, ishte po aq sa e dhimbshme aq edhe dramatike. Ajo çfarë e bën edhe më misterioze vdekjen e tyre është fakti se, shteti gjerman, asnjëherë nuk u prononcua rreth këtij atentati, se kush e vrau dhe sesi agjenturat jugosllave vepronin aq hapur në Gjermani./ Hejza

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *