Nga Shaip Beqiri

I formuar si poet i një bote me plot butësi e limonti të të shprehurit poetik, që i tillë duket sall në faqen e parë të fjalës së poezisë së tij, Jusuf Gërvalla në librin e tretë të poezisë “Shenjat e shenjta” bën thellime të vazhdueshëm në të gjurmuarit e shtresave të reja të kuptimit të fjalës. Më duket që këtu më shumë se në dy librat e mëparshëm të poezisë së tij del sheshit një individualitet i fortë krijues, i cili gjithnjë di t`i forcojë themelet dhe t`i zgjerojë përvijat e preokupimeve të vet poetikë. Prandaj, pa mëtuar të them ndonjë gjë të re për këtë poezi, dua të vë në pah faktin se ajo nuk përpiqet t`i kthehet aq shumë vetvetes kah ana estetizante, madje as në kërkim e sipër të një bote që i rri aq afër natyrës së këtij poeti, në ç`hapësirë sikur për të zhduket çdo kufi dhe kornizë e preferuar e fjalës që hyn në laboratorin e tij krijues! Në faqet e këtyre teksteve, sikundër edhe më parë, duhet çmuar lart zellin e madh të autorit që prore shtron kërkesa të reja ndaj poezisë së vet, duke e vënë atë në vijat e formave më të lidhura sitagmatike të të shprehurit të pangatërruar në rrafshin gjuhësor, gjë që është veçori e dallueshme e gjithë poezisë së Jusuf Gërvallës. Në vazhdë të kësaj veçnatie ai kujdeset për një mënyrë të ligjërimit të pastër s h q i p, për ç`gjë duhet t`i kenë lakmi edhe poetët më fanatikë të një kësi orientimi. Mirëpo them se ai nuk kufizon sall me një përkujdesje thjesht në punë të gjuhës, por atë e vë në funksion të plotë dhe e mishëron në gjithë sistemin e një figurshmërie të dendur me hapësira të gjera frymëmarrjeje, nga e cila del një botë e pasur idesh origjinale.

Krahas kapërcimit cilësor që bën me këtë libër, J. Gërvalla e ruan të plotë profilin e vet të poetit, duke i shtuar atij tinguj që këtu gjithsesi bëjnë një artikulim të ri. Tash në masë të konsiderueshme ai fut të shprehurit ironik, i cili në dukje të parë sikur don të përmbysë tërë një botë tjetër poetike të krijuar më parë nga e njëjta dorë. Kjo është dëshmi e fortë se idili e rustika në këtë poezi janë sall korniza ku vendohet fotografia e re e humbellave të ndërdyshjes, të cilave poeti asnjëherë s`arrin t`ua prekë fundin e vërtetë!

Duke rrëshqitur faqeve të këtij libri është e pamundshme të mos vësh re një det të tërë pezmi që mblidhet, por që nuk shpërthen; pastaj një lidhje të pakëputshme të fjalës me vatrën e vet memece, ku shtjellet e nuancohet me u futur kështu në vallen e madhe të domethënieve dhe përjetimeve të thella, të cilat kjo poezi i artikulon me një lirizëm brilant. Gjithë kjo botë tematike përqendrohet në disa shtylla, t`i quaj motivore, që këtu bëhen pikëvështrime qenësorë të ligjërimit poetik të Gërvallës. Pra, këto shtylla, përveç me truallin ku janë ngulitur, mbajnë lidhje të forta edhe nëpërmjet disa përdegëzimeve të tjerë të përbashkët, të cilët më në fund i rrafshon ritmi i një harmonie të brendshme të të shprehurit të natyrshëm, sa jo rrallë rrah gjirin e një bote të thellë intime. Poende edhe në momente rëniesh eventuale, që mund të kenë ndonjë motiv të padyshimtë, tek ato bëhen kompensime me elementë të tjerë.  

Ky libër i Jusuf Gërvallës jo vetëm që është një kontribut i çmueshëm në kuadrin e vlerave që sjell një vjet në letërsinë shqipe, por është një ndër librat që do të jetojnë gjatë në letrat tona.

Prishtinë, 1979

Shënim: 

Këtë shkrim për dorëshkrimin e librit të Jusuf Gërvallës i kisha bërë për nevojat e botuesit nga Shkupi, të cilit do t`i shërbente atëherë (1979) si recension për botimin e librit “Shenjat e shenjta”,  libër që pati një fat sall pakëz më të mirë se ai i autorit të tij. Ai libër u shumëzua gjysmëtinëzisht nga një ekzemplar që më kishte lënë J. Gërvalla në çastet kur po bëhej gati të brakstiste vendin dhe të merrte botën në sy. Pra libri tevona, kur u hoqën prangat e censurës, u shumëzua triumfalisht prej atyre që kishin zhbërë kopjet e veta të librit  të mikut të tyre që kishte kaluar në “taborrin e armiqve të vëllazërim-bashkimit”!

U përpoqa ta botoja këtë shkrim modest para tre vjetësh, por nuk arrita t`ia përvidhja një redaktori injorant e angërduf të “Zërit” të atëhershëm (I. K.), i cili me përgjigjen në majë  të gjuhës më tha: “Nuk ribotojmë shkrime të botuara më parë, qoftë edhe për Jusuf Gërvallën!” Nuk më mbeti tjetër përveç një gazi të ngrirë në buzë, siç thoshte një tjetër poet i përndjekur dhe i vetëheshtur shqiptar. 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *