Nga Astrit Cani
Kadareja filloi të shkruente vjersha në nji kohë kur gazetat paguenin (zakon i mbetun prej Zogut). Por shum shpejt, kuptoi, se me vazhdue me funksionue mbrenda sistemit, duhej të shkruente poezi për partinë. Për ktë arsye nuk u ba kurr poet, por fitoi diçka tjetër: u ba shkrimtar profesionist.
Sigurimi i kërkoi Trebeshinës të bahej shkrimtar regjimi, por ky nuk pranoi dhe e kaloi t’tanë jetën aktive në burg. Aq erdhi e u regj në burg, sa kur doli (i marrë përdore nga Edi Rama), filloi me thanë jam turk. Simbas tij i pari i Trebeshinajve, ishti nji turk i ardhun para 500 vjetsh – i cili me shum gjasë as nuk e dinte se ishte turk. Nejse, Turki i dha nji pension dhe Kasemi, hero lufte dhe hero disidence, i sosi ditët në Turki, i botuem vetëm prej Bukuzut në Kosovë e i palejuem me qarkullue në Shqipni.
Rivalët e Kadaresë nuk e kishin personale me të dhe ishin të gjithë ma fisnik se ai, të gjithë të shenjestruem prej Sigurimit të shtetit. Ata i kishin dalë ballas regjimit. Kadareja, ma oriental si psikologji dhe ma inteligjent në politikë mori postet që i duheshin dhe kishte aq tagër sa me i kërkue Nexhit edhe apartament.
Në vitet 60-70 regjimi arriti nënshtrimin e plotë të shqiptarve dhe mbasi iu hoqi lidhje me tokën (pronat) iu hoqi edhe lidhjen me qiellin (fénë). Boshlleku që u krijue duhej mbushë me ideologji dhe u zhdrivillue programi i inxhenierisë sociale që quhet: “njeriu i ri”.
Kontributi i Kadaresë në luftën e klasave në letërsi, ishte i dorës së parë. Me kritika tejet militante, anatemoi Fishtën, Koliqin, Camën e me radhë, për të cilët, gjithsesi ruente njifarë respekti armiqsor. Çka vërteton fakti se ato fejtoni dhe fletë rrufé i ka shkrue vetë ai dhe jo nuk janë qarkore të dala nga Sigurimi i Shtetit…
Kje gjueti shtrigash, fushatë shpifjesh: nji tjetër komunist fronti shkruente “Mërgatën e qyqeve.” Por shì në ktë periudhë ndodhi “mrekullia”. I thirrun nga vetë diktatori, nji pinjoll i familjes së madhe të Vrionve, letrar dhe francezist i shkëlqyeshëm, Jusufi, ndërmori përkthimin e tij në frangisht.
Qarqet komuniste franceze receptuen dhe përcollën veprën e Kadaresë ku simbas tyne pasqyrohej serioziteti i komunizmit shqiptar. Parizjenët e asaj kohe vdisnin për Maon, kurse Solxhenjicini iu dukej “vieux con”, kaqol plak. Dhe Kadareja ngjiti n’ato qarqe të intelligenzies franceze. Kshtu vizitoi edhe Parisin, në nji kohë kur shqiptarët vriteshin në kufi. Dhe sigurisht Moulin Rouge i pëlqeu ma shum se Bolshoj. Dhe frangishten e zotnonte ma mirë se rusishten.
Megjithate ai mbeti oriental. Pamvarësisht filo-oksidentalizmit të tij që shpesh dukej si integralizëm, veprat e tij ma të kensishme janë orientaleggiante: Kronika, Dimri, Pallati. Kuptohet ai kritikoi gjithmonë at që ai quente orientalizëm: pra kulturën turke, perse dhe arabe. Por kurr at çka vërtetë asht orientalizëm: bizantinizmin.
Vitet ‘80 kjenë shkatërrimtare për të. Shkroi Përbindshin, nji ndër veprat e pakta horror të letërsisë shqipe, që për nga atmosferat nuk i len gja mangut It-it të Stephen Kingut.
Kur ra muri i Berlinit e kuptoi se edhe regjimi jonë s’e kishte ma të gjatë dhe kërkoi azil në Francë.
I mësuem me shkrue në diktaturë, në kushtet e reja të lirisë, nuk arriti ma me ba letërsi të vërtetë. Mbasi vdiq Vrioni, veprat e reja me përkthyes të rij, nuk e patën nivelin letrar të atyne të dikurshme.
Nuk doli kundër asnji pushteti. Personazhi me të cilin u identifikue ma shum, kje nëpunësi. Ai vetë kje i tillë, nji nëpunës i pallatit të andrrave. Me ma shum pushtet se të tjerët, por edhe me zhytje ma të thella herë mbas here mbrenda makthit. La mbrapa nji vazhdë mediokrish që e himnizojnë dhe nuk e venë veprën e tij në kohë dhe në hapsinë. Si poet nuk hyn as në 100she. Si eseist as ndër 500 ma të mirët. Por si prozator i vitete ‘60-80 asht padiskutim ndër ma të mirët. Dhe ka me mbetë edhe për shum kohë si basileusi i bizantit tonë letrar.