Nga Arbër Zaimi
Në mesjetë ligji dominues në marrëdhëniet ndërkombëtare ishte ai i respektimit të sundimtarit sovran, sepse pushteti i tij ishte efekt i vullnetit të Zotit. Edhe mongolët e tmerrshëm e njihnin dhe e zbatonin këtë ligj.
Kështu kur nipi i Xhengizit, Hylaguja, u nis për të vënë nën hyqëm Bagdatin, ai fillimisht i shkroi plot respekt kalifit abasid, Mustasimit e i kërkoi marrëveshje dhe ndërrim garancish e diplomatësh. Kalifi iu përgjigj me arrogancë letrave të para të Hylagusë, pak a shumë duke i thënë “si guxon ti o injorant e barbar të flasësh kështu me mua që jam kalif me vullnet të Zotit e që mund të çoj në këmbë gjithë ushtritë e mbretërive besimtare nga Spanja e deri në Kinë”. Kur e pa se letrat nuk po kryenin punë, Hylaguja ia shkroi një të fundit ku i thosh “shpejt do ta shohësh çka është vullneti i Zotit”.
Zoti, nëse është burim i sovranitetit, është me luanin e jo me divanin, kështu besonte pagani Hylagu, i cili mblodhi ushtri të stërmadhe, nga të gjitha fetë, e marshoi për mbi një vit deri sa rrethoi Bagdatin nga të gjitha anët në një janar para afër tetë shekujsh. Bagdati u rrëzua, qindra mijëra vetë u vranë. Sipas Hylagusë u vranë nja dyqind mijë, sipas të mundurve u vranë afër një milion, duke përfshirë jo vetëm të prerët nga shpata po edhe ata që i vrau uria e murtaja e pasluftës. Thuhet se ujët e Tigrit u skuq. Mandej qyteti, që për kohën ishte kryeqendra e dijes u plaçkit e u shkatërrua. Tridhjet e gjashtë bibliotekat publike të Bagdatit, bashkë me Shtëpinë e Dijes, u rrëzuan e u dogjën, mijëra libra u humbën përfundimisht, dhjetëra filozofë e dijetarë u vranë, e ushtarët mongolë bënë sandalle me kapakët e lëkurtë të librave.
Çka i ndodhi kalifit Mustasim? Sipas Marko Polos, Hylaguja u çudit kur e gjeti thesarin e kalifit plot me ar. Duke qenë se ligji ndërkombëtar i kohës nuk e pranonte vrasjen e mbretërve, Hylaguja e mbylli kalifin pa bukë e pa ujë në dhomën e thesarit, duke i thënë “meqë kaq kursimtar paske qenë sa që nuk shpenzove për ushtri që të mbroheshe nga unë, ushqehu tani me arin tënd”.
Sipas dëshmitarëve më të besueshëm vendorë, për të mos derdhur gjak mbretëror po njëkohësisht për ta hequr qafe kalifin, mongolët e mbuluan atë me tapete e qilima të shtrenjtë dhe vunë kuajt të ecin mbi të.
Po ata dëshmitarë tregojnë se Veziri i madh, kryeministri e këshilltari i kalifit, i cili me gjasë kish patur komunikim të fshehtë me Hylagunë dhe kishte këshilluar keq mbretin duke e futur në konflikt me mbështetësit e vet, pas pushtimit shkoi te princi mongol e i kërkoi ta merrte si këshilltar. Por Hylaguja e ekzekutoi, bazuar në të njëjtin ligj ndërkombëtar të kohës, sepse ai që kish tradhtuar sovranin e vjetër po të mundej do tradhtonte dhe të riun.
Ně kohën moderne ata që quheshin kalifë, vezirë e mongolë mbajnë tituj të tjerë. E në periudhën pasabsolutiste si sovran nisi të shihet populli, gjë që solli ndryshime në shumëçka – por jo në gjithçka – edhe te ligjësitë e dinamikat politike e ndërkombëtare. Ky burim i ri sovraniteti respekton atë që lëviz e që imponohet, njësoj si ai i vjetri. E respektimi sado formal i ligjësive në raportet mes sovranëve ka qenë dhe është mjet vetëmbrojtës në radhë të parë.

