Nuk mund të flas për Çmimin Nobel si kurorëzim të veprës time, kur veprën nuk e kam të përfunduar. Kam ende disa projekte edhe për shekullin e ardhshëm, gëzoj shëndet të mirë dhe do ta vazhdoj punën time krijuese si shkrimtar, edhe si skulptor, vizatues, akuarelist por edhe si qytetar. A do të jetë ky çmim një ndihmë? E kam të vështirë të gjykoj për këtë gjë. Gjithçka është e lidhur me atë që pritet prej meje. Kam marrë një telegram nga Gabriel Garcia Marquez, që fillon me pergëzime, por pastaj thotë: “Nga ana tjetër, unë ta kuptoj mirë hallin. E di mjaft mirë çfarë të pret”. Ishte një lloj paralajmërimi: ai e di se nga unë do të priten gjëra të rëndësishme sociale.

Unë do të doja të vazhdoj atë që kam bërë dje. Duhej të shkoja te dentisti, dhe shkova te dentisti. Dua ta vazhdoj jetën time si më parë dhe ta ruaj kohën e lirë që e kërkon mjeshtëria e shkrimtarit. Përqëndrimin, mbylljen brenda, jetën e eremitit. Vetminë me të cilën jetojmë vite me radhë, me një dorëshkrim ende të papërfunduar. Bisedën me personazhet krejtësisht të trilluar. Këtë dua ta ruaj, këtë di të bëj, dhe kjo duhet të mbetet përparësia e jetës sime.
Günter Grass (1927-2015), Nobel 1999.
Nga një intervistë e vitit 1999.
Përshtati në shqip: Granit Zela