Pamjet e sigurisë të mbledhura nga zonat përreth banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, tregojnë momentet para vendosjes së eksplozivit në oborrin e vilës së tij. Në video shihet një person i maskuar, i cili lëviz me biçikletë pranë banesës i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse.
Hetuesit dyshojnë se i njëjti autor mund të jetë i përfshirë edhe në shpërthimin me tritol të ndodhur pak ditë më parë në një lokal në Kamëz, si dhe në të paktën gjashtë ngjarje të tjera të ngjashme të regjistruara gjatë vitit të fundit në Kamëz dhe në disa zona të Tiranës.
Sipas burimeve hetimore, në të gjitha episodet vërehet një skemë pothuajse identike, autori shfaqet i maskuar, shpesh i veshur me rroba të errëta ose i kamufluar si punëtor ndërtimi. Pas vendosjes së mjetit shpërthyes, i dyshuari largohet me shpejtësi me biçikletë, gjë që e ka vështirësuar identifikimin e tij nga autoritetet.
Policia po analizon të gjitha pamjet e sigurisë dhe po krahasues sjelljen e autorit në incidentet e mëparshme, me qëllim identifikimin dhe kapjen e tij. Hetimet vijojnë në disa pista paralelisht.

