Supersfida e mbrëmjes së sotme mes PSG-së dhe Bajernit të Mynihut premton emocione të mëdha me të dy ekipet që synojnë një vend në çerekfinalet e championsit.
Presidenti i bavarezëve, Oliver Kan beson se gjermanët këtë sezon mund të fitojnë trofeun më të rëndësishëm për klube në Evropë.
“Gjithmonë synimet tona qëndrojnë në krye, por nëse i referohemi gjendjes aktuale më jep të drejtë ta mendoj me kaq bindje. Grupi është i plotë dhe i gatshëm për t’i bërë ballë çdo rivali në rrugëtimin drejt Stambollit.”- tha me bindje Kan.
Më i përmbajtur u shfaq tekniku i parizienëve, Kristof Galtier, për të cilin shanset për kualifikim në këtë përballje janë 50 me 50.
“Skuadra që do të luajë kundër Bajernit nuk do të ketë asnjë lidhje me grupin që luajti kundër Monakos të shtunën. Pothuajse të gjithë lojtarët e mi janë mësuar të luajnë në këto ndeshje të mëdha. E pranojmë që përballë do të kemi një skuadër shumë të fortë, por në këto sfida të rëndësishme lojtarët e mi dinë si të ngrenë nivelin e lojës dhe standardet e tyre. Do të jetë 50 me 50.”- tha tekniku në konferencën për shtyp para ndeshjes.