Adil Xhelili, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë e Libohovës, premtoi ofrimin e shërbimit funeral falas nëse zgjedhësit e votëbesojnë me 14 maj.
Xhelili tha në Euronews Albania se shumë banorë të varfër në këtë bashki e kanë shumë të vështirë përballimin e kostove financiare të një shërbimi funeral, vlera e të cilit shkon mbi 700 mijë lekë.
“Pikësëpari nuk është çështje për të tërhequr votues, apo një premtim elektoral. Është një emergjencë dhe nevojë për komunitetin i cili dita-ditës po shpopullohet dhe mosha e tretë është një nga moshat më mbizotëruese në komunitet. Kjo nuk është një e dhënë që duhet përdorur, apo keqpërdorur nga mediat apo portalet.
Në bashkinë e Libohovës nuk ofrohet një shërbim komunal i mirëfilltë. Ky shërbim duhet të reformohet në bazë të nevojave të njerëzve. Banorët në raste fatkeqësish, paguajnë shuma të konsiderueshme, për një shërbim që pushteti vendor mund ta ofrojë falas. Nga pikëpamja si trajtohet është sikur ndjell një gjë të keqe, por komuniteti na njeh shumë mirë dhe jemi të kujdesshëm në fjalorin që përdorim. Ky nuk është një premtim, por një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë banorëve në raste fatkeqësish, ne duhet të plotësojmë nevojat që ata kanë. Njerëzit paguajnë deri në 750 mijë lekë për një shërbim të tillë ndërkohë që këtë shërbim mund ta ofrojë shërbimi komunal dhe t’i vijë në ndihmë qytetarëve.”- tha Xhelili.