Një situatë shqetësuese është evidentuar në sistemin shëndetësor shqiptar sa i përket barnave të rimbursueshme. Auditimi i ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) mbi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2024 ka zbuluar mangësi serioze në menaxhimin dhe garantimin e furnizimit me ilaçe në spitalet e vendit.
Sipas raportit të auditimit, janë konstatuar mangësi të theksuara strukturore, procedurale dhe funksionale në proceset e menaxhimit, monitorimit dhe kontrollit të barnave të rimbursueshme. Këto probleme kanë ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e medikamenteve esenciale për pacientët.
Gjatë periudhës së audituar, KLSH ka evidentuar gjithsej 45 gjetje që kërkojnë masa organizative, 3 gjetje me efekte ekonomike dhe 6 masa administrative. Këto shifra tregojnë dobësi të vazhdueshme në zbatimin e detyrimeve kontraktuale, si dhe në funksionimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm brenda FSDKSH.
Raporti thekson se mungesa e koordinimit, monitorimi i pamjaftueshëm dhe moszbatimi korrekt i procedurave kanë krijuar një situatë kaotike, duke lënë spitalet pa barna të rimbursueshme dhe duke rënduar ndjeshëm barrën financiare për qytetarët.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e administrimit të fondeve dhe sigurimin e furnizimit të rregullt me barna, me qëllim garantimin e shërbimit shëndetësor dhe mbrojtjen e interesit publik.

