Fabio Kapelo deklaroi për “Gazzetta dello Sport” se Ardon Jashari do të jetë një përforcim shumë i vlefshëm për organikën e Masimiliano Alegrit.
Sipas tij, Jashari ka personalitet në fushë, luan me guxim dhe nuk ka frikë nga dinamikat e ndeshjes.
Pjesë nga intervista
Çfarë mendoni për mbërritjen e Jasharit?
“E pranoj se e kam parë vetëm në Ligën e Kampionëve vitin e fundit, shumë pak për të pasur — dhe mbi të gjitha për të dhënë — siguri absolute. Megjithatë, djali më duket i mirë, potencialisht një lojtar i shkëlqyer në këtë rol në të ardhmen. Shkurt, një transferim i denjë për Milanin, siç e shoh unë”, ka thënë fillimisht Kapelo.
Disa tifozë i frikësohen ‘efektit De Ketelaere’, pasi bëhet fjalë për të njëjtin ekip, të njëjtën ligë…?
“Sinqerisht, Jashari më duket se është i një lloji tjetër. Sigurisht, nuk po flas për talent, por për karakter. Kjo është ajo që më thonë, dhe madje edhe duke e parë në fushë, ai jep përshtypjen e dikujt që nuk ka frikë nga asgjë.”
“Belgu nuk e kishte lënë kurrë më parë Bryzhin, qytetin e tij të lindjes. Jashari, nga ana tjetër, është zviceran me origjinë shqiptare. Situata të ndryshme. Para së gjithash, ai është larguar një herë nga shtëpia, kur shkoi nga Zvicra në Belgjikë vitin e kaluar.”
“Kjo do të thotë që tashmë ka dashur të dëshmojë veten të denjë në një vend ku është i panjohur, dhe ai madje fitoi çmimin e lojtarit më të mirë të ligës, duke bërë mirë edhe në Ligën e Kampionëve.”
“Jashari më duket se është nga ata që nuk ngurrojnë kur bëhet fjalë për të shfaqur talentin e tyre, ose për të dhënë pak më shumë për të fituar. Ai mund të jetë zviceran, por mund të shohësh gjakun ballkanas në venat e tij (qesh).”
Ju dini një ose dy gjëra për lojtarët nga ato pjesë të botës, pasi keni stërvitur shumë prej tyre në karrierën tuaj…?
“Boban, Saviçeviç, Suker, Mijatoviç… Ishte një lloj futbolli ndryshe, por në disa fusha ata nuk e kanë talentin vetëm si virtyt. Ata janë njerëz që nuk e pranojnë humbjen.”
“Dhe Milanit të sotëm, duke shtuar Modriçin dhe Jasharin në fushë dhe Igli Tarën në menaxhim, i është dhënë një shtysë e madhe personaliteti — brenda dhe jashtë fushës.”
Jashari është nënshkrimi më i shtrenjtë i karrierës së gjatë menaxheriale të Tarës deri më tani…?
“Kjo më bën të mendoj se është blerja e duhur. Igli është një drejtor sportiv me përvojë; ai e di se çfarë duhet për të bërë mirë në një klub si Milani. Nëse Tara zgjodhi Jasharin, kjo është sepse ai pa jo vetëm një lojtar të shkëlqyer, por edhe një njeri të besueshëm në çdo mënyrë.”
“Ai nuk është nga ata që ia lënë gjithçka rastësisë. Dhe të mos harrojmë Masimiliano Alegrin, i cili me siguri do ta ketë miratuar këtë blerje.”