Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Belinda Ballukun, të cilin e cilësoi si një akt me pasoja të rënda për interesin kombëtar. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kapri deklaroi se ky vendim ka dhënë një mesazh të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare dhe drejtësinë.
Sipas tij, me këtë vendim u legjitimua ideja se edhe persona të përfshirë në manipulime me miliona euro mund të vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Kapri theksoi se presioni i ushtruar nga kryeministri Edi Rama lidhet drejtpërdrejt me frikën e tij personale përballë drejtësisë.
“Belinda Balluku politikisht ka mbaruar punë, por Ramës i duhet ky precedent për të mbrojtur veten nesër. SPAK ka shkuar në paradhomën e tij dhe ky presion i madh bëhet pikërisht për këtë arsye”, u shpreh Kapri.
Ai shtoi se vendimi i Kushtetueses i ka shkaktuar një dëm të madh vendit, duke e quajtur atë antikombëtar, ndërsa paralajmëroi se tashmë nuk ka më asnjë dyshim se është nisur një betejë e hapur kundër institucioneve të drejtësisë.
“Rama po kërkon garanci për veten e tij. Ka nisur një betejë e madhe për të goditur SPAK dhe GJKKO. Por pyetja është pse e krijuam SPAK-un? E krijuam për të çuar para drejtësisë figura si Balluku dhe Ahmetaj”, tha deputeti i “Mundësisë”.
Në përfundim, Kapri theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese përbën një goditje serioze për besimin e qytetarëve te drejtësia dhe rrezikon të minojë reformën në drejtësi.

