Ndër asi njerzsh, qi interesohen për gjuhë e ipen mbas studimit të tyne, janë shum asish, qi tue mos pasë këndime të mjaftueshme filologije e me gjithkëta, tue dashtë me u dalë zot disa parimeve të veta të pa-themel, i bajnë nji dam shum të madh gjuhës e ndalojnë përparimin e përmirsimin e saj. Nji pjesë e këtyne farë njerzve mendojnë se disa gjuhë janë të gjymta prej natyre, disa tjera janë të begatshme e të pasuna prej vetvedi e se këto të mbramet në çë farë do pikpamje janë të hieshme, të drejta, të pasuna e pa gjymtime vetëm pse këto gjuhë fliten prej ndonji kombi të përmendun. Thonë se ka edhe aso gjuhësh barbare, të trasha, të vrashta e të paharmonieshme, të cilat në kurrnji mënyrë nuk mund të dliren e të qirohen ashtu si duhet. Mendojnë se çmimi ma i math i njaj gjuhe asht mos-përdorimi i kurrnjaj fjale të huej e se prandej ç’do fjalë e hueja e bastardhon e e prishë gjuhën. Janë prapë shum asish, të cilët janë kundra çë do fjale të ré e gjykojnë, se gjuha do të lihet njashtu si asht pa stërhollime; skâjet teknike, mbas mendimit të tyne, nuk kanë asnji bukuri të përmbrëndshme. Mandej janë prap tjerë, qi mbahen mbi at parim themeluer, se vetëm përdorimi, shembujt e auktoritetet e gramatikarvet janë të vetmit, qi munden me dhânë ligjë mbi gjuhë.

Tue qenë se gjuha shqipe sot për sot asht në fillim të jetës së vet letrare e se prandej munden fort lehtas me u ba gabime mbi ket çashtje kaq me rëndsi, po na kandet me paraqitë disa mendime t’ona e, tue shqyrtue filosofisht historin e gjuhvet e tue vu oroe rrjedhen e zhvillimin e tyne të natyrshëm, ka me u pa, në mos gabofshim, se përfundimet e mendimevet, qi po rreshtojmë, janë drejt për së drejti kundra theorinavet të sypërthânuna.

 — Asnji gjuhë në fillim të vet nuk âsht as e hieshme, as barbare; asnji nuk âsht plotsisht ma e naltë se tjetra, tue qenë se të gjitha lejnë në nji mënyrë: fillojnë trashamane e të vorfna, përparojnë me methudhë të njajshme në të përbam e në të përhapun të fjalvet; të gjitha kanë gjymtime e çmime të njajshme; të tâna u përgjigjen nevojvet të përbashkta të kombit, qi i flet; se e cila tingllon bukur e âmbël në vesh t’atij, për të cilin âsht bâ; të gjitha janë të përkulshme e munden me u plotsue; se e cila, njëna në nji pikpamje, tjetra në nji tjetër, kanë ndonji çmim të veçantë. Prandej të përbuzunit e njaj giuhe asht jashta arsyes. Filosofija krahason e xjerr fryt; paragjykimi përjashton e përbuzë; qi don me thanë, se filosofija tue krahasue, dikton ndryshimet ndërmjet bukuris e shemtimit; ndëmjet së vërtetës e së rrênës, së drejtës e së shtrêmbtes, së mires e së keqes; sikurse paragjykimet, qi nuk mbështeten kurr mbi arsye, mund të dalin të gabueshme e të rrêjshme, e pra në rrezik me përjashtue e me përbuzë shka mund të jét e vërtetë, e drejtë e e mirë.

2) — Asnji gjuhë nuk asht e pastër. — Jo vetëm sot nuk gjindet nji gjuhë këso dore, por nuk asht gjetë kurr, as nuk mundet me u gjetë; pse nji gjuhë në fillim të vet përbâhet prej të përmbledhunit të shum dhjalektavet, sikurse nji popull përbahet prej bashkimit të shum fiseve të ndryshme e të shpërdame. E këta të përmbledhun, këta të përbâm shifet kjarisht prej synonimash, prej ndryshimesh qi kanë nderulet e êmnavet e përkthimet e verbavet; shifet prej shrregullimesh të tyne e shifet sidomos në syntaks të njaj gjuhe.

3) — Asnji gjuhë nuk âsht përbâ kurr prej ndonji auktoriteti, as privat as botnuer, por me pelqim të lirë e të pa-shprehun të shumsis; prandej asnji auktoritet i ndonji njeriu të veçantë, a të ndonji trupi nuk mundet me ndalë a me i vû kufijt nji kombi në çashtje të gjuhës; për ket arsye kombi vetë, ase shumsija e tij, ka me pasë tagrin me e përmirsue gjuhën, me e smadhue e me e pasunue, e nuk ka me mujtë kurr me u tnanë se asht nji gjuhë tjetër, deri sa këjo mos të bjerrë trajtën e vet karakteristike. E sikurse në nji gjuhë të folme, shumsija e popullit âsht ajo, qi vên ligjë, njashtu edhe në gjuhë të shkrueme nji fjalë ase nji frazë e rë nuk mund të damnohet a priori mbas ligjet të vume prej gramatikarvet, por mbas pelqimit të bam mbas sa kohe prej shumsis së ma të madhe të shkrimtarvet, e mirret vesht vetvetiu t’atyne shkrimtarvet, qi kanë vesh, ndiesi, gjykim e jo t’atyne, qi shkojnë verbsisht mbas ndonji auktoriteti të gabueshëm e të paligjshëm.

4) — Asnji gjuhë nuk asht e kryeme, sikurse nuk asht e kryeme asnji ligjë njerzore. Nji shumsi fjalësh për me shprehë nji idhé, kishte me terratisë menden, me i hjekë gjallnin gjuhës e me përtri pshtjellime. Kështu ndërtimi i gjuhës italjane e françeze, e ban gjuhën ma të caktueme, por ma pak të gjall; ndërtimi e shvendimi i gjuhës latine e germane interesojnë ndiesit, por turbullojnë kuptimin. Por edhe pse asnji gjuhë nuk asht e kryeme, me giithkëta nuk don me thanë se nuk mund të përmirsohet.

5) — Asnji gjuhë nuk asht mjaft e pasun, as nuk mundet me u caktue nji kohë, në të cilën mos të két nevojë për pasuni të reja. Hartet, ditunit, tregtija na paraqesin për ditë sende të reja, qi kanë nevojë për êmna të ri. Kuptimi i njeriut, qi sot âsht ba i kthelltë e ma i kujtueshëm, përshkon ndër mend idhë gjithmonë të reja në gjithfarë pikpamjesh; i dallon, përban klasë e gjini të reja. E si mundet njeriu pra me i shprehë këto idhë pa fjalë e pa aso fjalësh, qi t’u përkohen veprimevet të kuptimit? Vetëm atëherë ka me ardhë koha, qi gjuha nuk ka me pasë nevojë me u pasunue, kur mendja e njeriut nuk ka me pasë mâ se shka me çpikë e me trillue.

6) Asnji gjuhë nuk mund të jét e patjetersueshme. Shkaqet e tjetersimit janë të domosdoshme e të nevojshme. Por gjuha tjetërsohet në dy mënyrë: prej popullit e prej shkrimtarvet, Populli e tjetërson në shqyptim, në skajime, në syntaks e priret me e zhgatrruem e me e shkrim për kadalë ose i ep shkas nji pshtjellimit të turrshëm e të ngutshëm. Shkrimtarët përkundrazi e tjetërsojnë në styl: i apin njyre të ndryshme, por formën i a ruejnë.

7) — Asnji gjuhë nak flitet njitrajtazi në të gjith kombin. Jo vetëm çë do ndryshim klime e dan gjuhën në dhjalekta të ndryshëm; por edhe në nji qytet të vetëm ndihet përore nji ndryshim shqyptimi e mënyre. Puntorija përban nji gjuhë të vetën; aristokratija edhe pa dashtë ka nji dhjalekt të ndryshëm prej atij të popullit të vogël. Në nji qytet, ku të jét ndryshim besimesh, ndihen ndryshimet në gjuhë ndërmje, të popullit të njënit besim e të tjetrit. Ndër dhjalekta të ndryshëm, njêni doemos do të mtirre parazotnimin mbi tjerë, e ky parazotnim rrjedh a prej randsije, qi merr nji krahinë përmbi tjera a se prej shkrimtarvet. E para rasë nuk mund të merret si e ligjshme, pse asht e themelueme keq; gjuha e nji kombi bâhet e përbashkme prej shkrimtarvet.

(…)

Gjuha e jonë sot, e krahasueme me gjuhë tjera të Prëndimit, mund të thohet e vobekët, pse përparimi i kombevet prëndimore ka vojtë shum nalt e ka ngrehë mbas vedi zhvillimin e gjuhvet te tyne. Përkundrazi komb’ i jonë per 500 vjet ka fjetë në gjumë të randë, nuk ka ba farë përparimi, madje mund të thohet, tue ndjekë ligjët e natyrës, qi thonë a përpara a përmbrapa, kombi i jonë ka ra poshtë, porse përkundrazi gjuha asht bukur e zhvillueme për arsye ndoshta, qi diftuem sypri.

Deri tashti nuk kemi pasun nji gjuhë letrare, pse na ka munguem letresija e vertetë, por sot kanë ndrruem punët e jemi tue pam e tue ndijmë nevojën për gjuhë të përbashkët; kombi i jonë ka filluem të zgjohet prej gjumi, ka filluem me ndijmë se asht nji komb, qi ka të drejtë me jetuem jetën e vet të lirë, me përparuem e me gëzuem nji jetë qytetnije si popujt tjerë. Këto vjet e fundit, tue xânë fill prej ditës qi Shqipnija u lirue prej sundimit otoman, janë pa shum provë se edhe populli shqiptar don përparim e kulturë e ket livrim e ka ndijmë edhe gjuha.

Tue u mbështetun mbi at parim, se gjuha nuk mund të përbahet prej kurrnji auktoriteti privat ose botnuer, por me pelqim të lirë të shumsis, Komisija letrare, e themelueme këtu në Shkodër, vendoj qi per sajim të gjuhës së përbashkët do të themelohemi mbi dhjalekt t’Elbasanit, sikurse ai qi prej shumsis së madhe të kombit t’onë njifet për ma i bukuri me ato fjalë : “Shqipe Elbasani.» Kuptohet vetvetiu se edhe dhjalekti i Elbasanit ka nevojë për pastrime e përmirsime, qi munden me u gjete ndër tjerë dhjalekta të Shqipnis si kah veriu ashtu edhe kah jugu, e këtu Komisija letrare me shum urti vendoj qi të mirret dhjalekti i Elbasanit, por me përmirsime. Tue u mbajtun pra mbi ket dhjalekt, si na e çfaqë ma së bukuri Ungjilli i këthyem shqyp prej Kristoforidit, për së shpejti kemi për të pasun edhe na gjuhën t’onë letrar.

Përgatiti për botim: Agim Morina

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *