Nga Lutfi Dervishi
Tribunali për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, i ngritur më 1993, kur ende tymi dilte nga shtëpitë e djegura në Bosnje, nisi hetimet dhe arrestimet me një shpejtësi që, për standardet ndërkombëtare, quhej blitzkrieg.
Slobodan Millosheviçi, president i Serbisë, i quajtur “Kasapi i Ballkanit”, u arrestua në vitin 2001. Aktakuza u ngrit shumë shpejt dhe gjykimi nisi në vitin 2002, pra vetëm një vit pas arrestimit.
Tani të kthehemi te Haga e Kosovës. U desh më shumë se një dekadë për të ngritur një dhomë gjykimi dhe, edhe pasi u arrestuan ish-drejtuesit e UÇK-së në vitin 2020, jemi në vitin e pestë të pritjes, me një proces që ecën me shpejtësinë e breshkës.
Në Tribunalin për ish-Jugosllavinë për krimet e luftës u gjykuan krerë shtetesh, gjeneralë dhe arkitektë të spastrimit etnik. Në Specialen për Kosovën, na janë dashur pesë vjet për të verifikuar nëse një komandant lokal kishte dijeni për zinxhirin komandues. Dhe bëhet fjalë për UÇK-në, një lëvizje vetëmbrojtëse kundër dhunës së armatosur, dhe për drejtuesin e saj, Hashim Thaçin, i cilësuar nga ish-presidenti i SHBA-së, Joe Biden, si “George Washingtoni i Kosovës”.
Pra, një tribunal gjykoi përgjegjësit e masakrave masive në më pak kohë sesa kjo dhomë e Hagës, që duket sikur i ka harruar të pandehurit në burg. Me këtë ritëm, dënimet mund të përfundojnë para se të përfundojë procesi.