Nga Shaip Beqiri
Në Shqipëri diktatura vigjilonte mbi të gjitha sferat e krijimit artistik. Shprehjet e lirisë së mendimit ndëshkoheshin qysh në embrion gjë që solli gjallimin e një disidencë te heshtur, personale ose në rrethe të ngushta.
I vetmi shkrimtar i deklaruar disident ishte Kasëm Trebeshina. Për katër dekada, ai mbrojti pa kompromis pikëpamjet e tij dhe shkroi me pasion gjithçka që mendonte se e vlente të hidhej në letër. Kasëmi besonte pa fije hezitimi se një ditë diktatura do të shembej dhe veprat do të shihnin dritën e botimit, qoftë edhe pas vdekjes së tij. Binomi i jetës së tij të gjatë e prodhimtare janë burgimet e gjata dhe krijimet disidente.
Gjatë kohës së luftës Kasëm Trebeshina u radhit në rreshtat e Lëvizjes dhe falë trimërisë së tij arriti detyrën e komandantit të batalionit, në moshë shumë të re. Pas lufte shkoi të kryente studimet në Bashkimin Sovjetik, por sapo mësoi gjuhën ruse, e braktisi fakultetin.
Kasëmi jo vetëm e kuptoi shpejt greminën ku po rrokullisej Shqipëria por edhe ngriti zërin që ta dëgjonte ideatori i gremisjes. Me guxim prej të krisuri, i dërgoi një promemorie Enver Hoxhës në tetor të vitit 1953, ku e paralajmëronte të hiqte dorë nga rruga e Luigjit të XIV. Me një fjali të vetme, Trebeshina e lakuriqësonte sistemin: “Një parti që merr urdhëra të prera dhe të padiskutueshme nga lart nuk është më parti, por një repart gazerme”. Promemoria kritikonte politikën e partisë dhe kultin e individit, si edhe demaskonte realizmin socialist si metodë kufizuese. Realizmi socialist, sipas tij, ishte binjakëzim me idetë e absolutizmit francez, si teori edhe si praktikë. Ai nuk i kursente kritikat kundër metodës së himnizuar nga pushteti dhe pohonte se realizmi socialist garantonte shtrembërime të përbindshme, e ndërkohë jepte edhe skemën tipike të subjekteve letrare. “Një inxhinier i mirë, një i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… Një fshatar i mirë, një i keq dhe një i gabuar që ndreqet!… e kështu me radhë. Një i mirë, një i keq dhe një që ndreqet” shprehej Kasemi. Me kthjelltësi mendimi dhe argumentimi, ai fshikullonte partinë dhe kultin e individit me frazën “Është pranuar nga të gjithë se sado i mençëm dhe i zoti që të jetë një njeri, ai kurrë nuk mund t’i di të gjitha”. Dhe “Në përfundim të këtij procesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak,” ishte parashikimi largpamës i tij.
Reagimi i Enver Hoxhës qe i ashpër dhe i menjëhershëm. Kasëm Trebeshina, profesor Mark Ndoja, Sektretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Mehmet Myftiu, u përjashtuan nga partia si heretikë, me akuzën se nuk pranonin udhëheqjen e partisë në letërsi e art, dhe se iu kundërvunë vijës së saj. Ata u shkarkuan nga postet dhe detyrat që kishin në Lidhjen e Shkrimtarëve, dhe me urdhër nga lart, sigurimi i arrestoi dhe hetuesia ia dorëzoi gjyqit. Kasëm Trebeshina dhe profesor Mark Ndoja u dënuan me burgim, ndërsa Mehmet Myftiu, si letrar i ri, me internim. Ky ishte burgimi i parë që u pasua me burgosje të tjera të Kasemit, shpesh me akuza të kota. Disa herë ai shpalli grevë urie në burg si protestë për dënimet e padrejta duke shkuar deri në buzë të varrit.
Në vitet ’80, Kasëm Trebeshina, i dërgoi udhëheqjes, disa ditë para zgjedhjeve për deputet të Kuvendit Popullor një letër në të cilën ai deklaronte se zgjedhjet ishin farsë e pështirë politike, se rezultati 99.99 për qind ishte paracaktuar. Ai shkruante se nuk ia vlente të shkonte në qendrën e votimit formalisht, se demokracia ishte përdhosur dhe vota e qytetareve s’kishte asnjë vlerë. Kjo ishte sfidë e hapur kundër udhëheqjes dogmatike shqiptare, kur ajo pretendonte për unitet të çeliktë, ndërkohë që dënonte me qindra shtetas për mendimet e tyre. A do ta gëlltiste udhëheqja deklaratën e tij si përçarje e një të luajturi apo do ta ndëshkonte me egërsi sipas një praktike të konsoliduar?
Egërsia fitoi. Kasëmi u dënua përsëri me burgim. Lajmin ma kumtoi Llambi Blidoja, një nga konfidentët e paktë të Kasëm Trebeshinës, te i cili ai shkonte për vizitë edhe në shtëpi. Ai i kishte besuar Llambit disa nga dorëshkrimet e tij disidente, midis të cilëve edhe romanin “Kënga Shqiptare”. Atë vepër Llambi ma dha ta lexoja në mirëbesim. Boshtin e romanit e përbënin ngjarjet tronditëse të të ashtuquajturit “fraksion i Vlorës” në kontekstin e kontradiktave të brendshme të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, në formën e intrigave, krimeve dhe vrasjeve prapa shpine. Romani thellësisht realist përfshinte një tabllo të gjerë të shoqërisë, qytetare dhe fshatare, të rinj e të moshuar, studentë, feudalë, oficerë, politikanë, etj.
Një ditë para së dielës së votimeve, Kasëm Trebeshinën e arrestoi sigurimi, duke i konfiskuar të gjitha dosjet e dorëshkrimeve të tij, kryesisht drama e komedi, për të vërtetuar akuzat kundër tij. Kujtoj këtu se drama e tij “Kruja e Rrethuar” e kishte ngritur në radhën e shkrimtarëve të njohur.
Lidhja përdoret si vegël e akuzës ndaj disidentit
Për t’i dhënë ekspertizës ligjore peshë dhe seriozitet, hetuesia angazhoi edhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Gati tridhjetë drama e komedi te Kasemit iu dorëzuan Dalan Shapllos, që t’ua shpërndante shkrimtarëve, duke u kërkuar relacione me shkrim rreth përmbajtjes se tyre. Dalanit i premtuan se shkrimtarët nuk do të thërriteshin si dëshmitarë të akuzës në gjyq, por më vonë doli se e mashtruan. Organet ngulmuan se rregullat procedurale kërkonin që relatuesit të depononin vetë para trupit gjykues. Mbaj mend se Dalani protestoi për mashtrimin, por nuk ia vuri veshin askush.
Midis dramaturgëve që Dalan Shaplloja ngarkoi për të shqyrtuar veprat, isha edhe unë. Më erdhi disi e papritur, sepse unë nuk isha nga njerëzit e afërm apo të besuar të Lidhjes. Ai më dorëzoi pesë vepra të Kasëm Trebeshinës, pa përzgjedhje, ato që i zunë duart nga togu i dorëshkrimeve sipër tryezës së tij. Më vuri në dijeni se duhet t’i lexoja e të shkruaja një relacion rreth përmbajtjes së tyre.
Nga njëra anë më erdhi mirë që do të lexoja pesë vepra disidente, nga ana tjetër nuk doja kurrsesi ta rëndoja Kasëm Trebeshinën me akuza ideopolitike. E dija se ai ende shkruante edhe pse nuk kishte asnjë shpresë për botim. Për mua, kjo ishte vërtet e jashtëzakonshme, mbasi ne të tjerët zakonisht i shpinim veprat për botim pa u tharë mirë boja. Të shkruaje kur e dije mirëfilli se krijimet s’kishin për ta parë dritën e botimit, ishte ndoshta marrëzi, apo ndoshta heroizëm. Duhej vullnet dhe forcë e brendshme të hidhje në letër dhe ‘dokumentoje’ ndjenja dhe mendime disidente, të cilat mund të ktheheshin në prova të fajesise në duart e regjimit. E admiroja për guximin e tij. Sa herë takohesha me dhëndrin e tij, Faruk Zarshati, të cilin e kisha njohur nëpërmjet piktorit dhe mikut tim, Llambi Blido, e pyesja për Kasëmin. Ai, me ndrojtje më thoshte se Kasëmi vazhdonte të shkruante.
Histori e atyre që s‘janë më
I lexova faqet e daktilografuara me një frymë, ku subjektet dhe idetë kishin vërtetësi dhe nuk vuanin nga atrofizimi që kishte sjellë në Shqipëri dhunimi i artit dhe i letërsisë nga politika. Njëra prej tyre “Histori e Atyre Që s‘janë Më” ishte akuzë e fortë kundër njerëzve të sigurimit, të zvetënuar moralisht. Duke menduar se dramat do të asgjësoheshin prej Sigurimit, me erdhi keq që të humbte në hirin e zjarrit një vepër e tillë me vlera. Duhej shpëtuar, por si e në ç’mënyrë? Më duhej të ngutesha se veprat duheshin dorëzuar në Lidhjen e Shkrimtareve tok me relacionin, pas tre-katër ditësh. Më shkrepi në mend ideja ta fotografoja dramën faqe për faqe, ashtu sikurse kisha parë në filmat e spiunazhit. Mirëpo s’kisha as aparat të përshtatshëm, as film. Megjithatë i entuziazmuar nga ideja shkova te Llambi duke shpresuar se mund ta fotografonim me ndihmën e Burhan Camit, mik e shok i besuar, metodist te Pallati Mësuesi. Llambi shfaqi rezerva për sugjerimin tim, duke thënë se filmi duhej larë dhe se fotografi që do ta stamponte mund të dyshonte pse ishin fotografuar ato faqe dhe argumentet e tij e fundosën shpresën time për ta shpëtuar veprën. Mirëpo Llambi sugjeroi një rrugë më praktike. Ai tha se ishte gati t’i kopjonte me dorë 45-46 faqet e daktilografuara. Vërejta se do t’i duhej shumë kohë, por ai tha se do ta raciononte kopjimin me vajzën dhe djalin e tij. Ky ishte akt i mbarsur me rreziqe si për ta edhe për mua, që e kisha vënë dramën në duart e tyre. Llambi e kopjoi dhe ma ktheu veprën që ta dorëzoja në afatin e caktuar. Mendimi se kisha shpëtuar nga asgjësimi një vepër disidente me vlerë më jepte një kënaqi shpirtërore të pastër dhe të mirëfilltë.
Përgatita relacionin sa më butë që munda, me argumentin se dramat e komeditë e Kasëm Trebeshinës ishin fryt i një fantazie krijuese madje çoroditëse, se meqë aty nuk kishte asgjë realiste, atëhere nuk kishte aludime kundër sistemit. Si shembull merrja komedinë “7 Kilometra Larg Parajsës”, nga e cila nuk mund të përftohej ndonjë ide e saktë në paraqitje. Ia thashë këto mendime edhe Dalanit, por ai më tha se në disa vepra të tjera aludimi ndihej qartë. Përmendi një dramë me emra personazhesh Anvar dhe Mahmud, aludim për Enverin dhe Mehmetin, pavarësisht se veprimi vendosej në shkretëtirën e Egjyptit. Unë iu shmanga paraqitjes në gjyq, me anë të një justifikim të besueshëm. Më pas më thanë se atje u lexua relacioni im. Ky rast më ka bërë të besoj se ne jemi të lidhur në mënyrë të pashmangshme me njëri-tjetrin sado të përdredhura të jenë rrugët e fatit. Disa vite pas rrëzimit të diktaturës, Kasëmi i tha Llambit; “Vetëm Naum Prifti pati kurajon të më mbronte në gjyq”. Keto fjalë m’i tha edhe mua, kur u takuam rastësisht pranë Medresesë. Më falënderoi për dramën e kopjuar, pasi atë variant nuk e posedonte. Drama “Historia e Atyre që s’janë më” u shfaq me sukses në Paris në vitet 1994-1995. Mendova se kisha zgjedhur një vepër me vlera për stigmatizimin e diktaturës.
Demokracia shqiptare apo sistemi që u quajt kështu pas rënies së komunizmit në Shqipëri nuk do gjente figurë më të denjë disidence se Kasëm Trebeshina. Por tashmë u bë e modës të kishe qenë disident, prandaj atij ia morën dhe ia zbehen edhe atë që ishte identiteti i tij. Sado të thotë Kadareja se në Shqipëri nuk kishte disidencë të hapur dhe sado që t’ia mbajnë ison idhëtarët e shumtë, me cfarëdo lloj përdredhje të realiteteve të arsyetohet ai sot për trajtimin elitist të tij, Kasëm Trebeshina jo vetëm ishte disident atëherë kur Kadareja nuk ishte, por ai është edhe sot kur Kadareja ende nuk bëhet dot disident as i këtij sistemi.
Një pjesë e veprave të tij u botuan, dhe midis tyre edhe romani “Kënga Shqiptare”. Ambicjet, anësitë dhe intrigat e më të vegjëlve në talent dhe karakter, si edhe të atyre që pohojnë pa turp se nuk ka pasur disidencë në Shqipëri (sepse ata vetë nuk ishin të tillë) u bënë arsyetuesë të shpërfilljes dhe lënies mënjanë të veprave dhe të autorit Kasëm Trebeshina. Ai lindi në Berat, Shqipëri, në 8 gusht 1925 – ndërroi jetë në Ankara, Turqi, në 6 nëntor, 2017. Këto janë vetëm data biografike të cilat vlejnë për përvjetorë lindje a vdekje dhe shkrime përkujtimore si ky.
Në jetë si edhe në vdekje, i papenguar nga asgjë tokësore, ai mbetet shkrimtari, poeti, dramaturgu, publicisti dhe disidenti vetëmohues, Kasëm Trebeshina.