Sfida e parë gjysmëfinale mes Bajernit dhe Realit dhuroi lojë dhe gola. Barazim 2-2 në “Alianz Arena” në një përballje ku bavarezët krijuan më shumë volum, por përvoja ishte sërish vendimtare për djemtë e Karlo Ancelotit të cilët shfrytëzuan sërish episodet dhe lanë gjithçka të hapur për duelin e kthimit në Madrid.
“Dhamë gjithçka në fushë. Krijuam më shumë, por ata kanë lojtarë profesioniste për kthimn e situatave edhe pa prodhuar shumë volum loje. Nuk shkojmë si inferirorë në Madrid, madje do të synojmë vetëm fitoren dhe asgjë tjetër” – tha Heri Kejn i cili shënoi një nga golat e Bajernit me penallti.
Vinicius Zhunior ishte sërish protagonist me dygolëshin e tij. Sulmuesi brazilian pranoi se madrilenët e patën shumë të vështirë në Mynih, por sipas tij në “Santiago Bernabeu” do të jetë një tjetër histori.
“Mund të them se mbijetuam mirë. Nuk ishte aspak e lehtë për një stadium si ky dhe përballë një ekipi si Bajerni që ushtroi shumë presion gjatë të gjithë lojës. Është arritje e madhe për ne marrja e këtij barazimi. Në Madrid do të shihni një ndeshje tjetër” – tha Vinicius.