Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi gjatë takimeve me qytetarë në zonën e “Vilave Gjermane” akuzoi Erion Veliajn se i ka shndërruar drejtorët e bashkisë në ndërtues.
Akuza e Këlliçit ishte përgjigja ndaj banorëve që shtruan problemin e mungesës së kanalizimeve dhe pranisë së ujërave të zeza në zonë.
“Edhe ia kanë kaluar Policisë Bashkiake. Pra është kërkuar ndërhyrje, që ta kuptojnë dhe ata që na ndjekin, Drejtoria e Higjenës i ka kërkuar ndërhyrje për shkak të situatës Njësisë Administrative Nr.2, pra Njësisë Bashkiake Nr.2 dhe Policisë Bashkiake për të ndërhyrë këtu. E çfarë ka ndodhur? Kjo përgjigja e këtij Redi Mollës, referuar ankesës së z.Pavlo Sopi Qoti, që ndodhet në rrugën “3 Vëllezërit” është verifikuar dhe është hartuar projekti për rrjetin e kanalizimit që do të zbatohet sa më shpejt. Kanë kaluar deri tani 4 vjet e tre muaj. Shumë shpejt qenkan, katër vjet e tre muaj. Ky Redi Molla është ai që po ndërton hotelin 15 milionë euro bashkë me Mariglen Qaton. Që ta dini ju pse nuk ndërtohen këto, ta dinë qytetarët. Se në vend që të jetë punonjës i shtetit, e të merret me këto probleme, është duke ndërtuar hotel 15 milionë euro. Ky është problemi.”-tha Këlliçi.
Këlliçi përsëriti sërish kërkesën e tij për debat televiziv me Erion Veliajn, kërkesë që sipas tij Veliaj e ka refuzuar pasi bilanci i tij në krye të Bashkisë së Tiranës është pasqyrë e dështimeve dhe korrupsionit galopant.