Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi premtoi se ai nuk do të japë asnjë leje ndërtimi për kulla në qendër të kryeqytetit nësë qytetarët e mandatojnë për drejtimin e bashkisë. Këlliçi akuzoi kryetarin aktual të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se e ka kthyer kryeqytetin në një masiv betoni.
“Tiranën, kryetari i bashkisë aktuale, e ka shpërfytyruar kryeqytetin duke e kthyer në një masiv të madh betoni. Ka dhënë 7.5 milionë metër katrorë ndërtimi beton. Premtimet e mia, në raport me këtë që i ka ndodhur qytetit. Sa të jem unë kryetar bashkie nuk do të ketë më kulla në qendër të Tiranës, Bulevardi i Ri duhet të zhvillohet. Dua të jap premtimin e dytë, parkut të liqenit nuk i preket më asnjë centimetër katror. Çfarë ka bërë kryetari aktual i bashkisë i ka hequr 520 mijë metër katrorë hapësirë të gjelbër Tiranës në këto 8 vjet për ta kthyer në beton atë hapësirë, ndërkohë ka ndërtuar 7.5 milionë metër katrorë beton. Jep 100 leje në muaj mesatarisht, rekord në Europë. Nga ana tjetër, korrupsioni është galopant në Bashkinë e Tiranës. Banka Botërore, në raportin e fundit që ka bërë për mbledhjen e taksave në qytet, ka thënë që 38% e taksave nuk paguhen, nuk mblidhen nga Bashkia e Tiranës që shkakton një dëm kolosal në buxhetin e bashkisë.”- tha Këlliçi në emisionin Opinion.
Premtimi për zero kulla në Tiranë nuk është i panjohur për ligjërimin politik në Shqipëri. Ky ishte një nga premtimet kryesore të Erion Veliajt në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2015-të, por ndërtimi i kullave në Tiranë vijoi intensivisht gjatë 8 viteve të Veliajt në drejtimin e bashkisë më të madhe të vendit.