Spektakolare, mahnitëse, natyrshmëri rrëmbyese, sfiduese e momentit, kulmues i çastit të beftë, kapërcim i reales në caqet e imagjinatës, brishtësi e natyrës së egër në ashpërsinë e kapërthimit, e çfarë tjetër për fotografinë, “Kërcimi i hutave”.
Shkodrani, Jetmir Troshani vlerësohet me çmimin e parë nga Fondi Internacional për Fotografinë, në kategorinë Fotografia e Natyrës dhe Jetes së Egër. Kjo nuk është vetëm një “arritje që shënjon një moment historik të randësishëm në rrugëtimin tim me fotografinë e jetës së egër, duke e pasunu ma tej angazhimin tim për me fotografu dhe nda bukurinë e botës natyrore”, siç e ka përcjellë fotografi i talentuar këtë emocion, është edhe një lajm i mirë. Fotografimi i jetës së egër, duke qenë një lajtmotiv për Jetmir Troshanin, pas shumë mundësish, për të rrëmbyer interesim dhe për t’u vlerësuar, për të promovuar dhe mbrojtur përmes fotografisë atë botë që moderniteti e kërcënon, vjen në këtë arritje si një krenari shqiptare, si një mburrje shkodrane.
“Kërcimi i hutave” i Troshanit, duke rrëmbyer çmimin e parë nga një kompeticion kaq gjigand i fotografisë profesionale, në Itali, siç është “Fondi Ndërkombëtar FIOF për Fotografinë”, dëshmon përmbushjen e ngulmimit të tij për të qenë një zë kushtrues në mbrojtjen e botës së egër, që kulmon me trofeun e Çmimit për vitin 2024.
Këtë vit, ndërsa FIOF feston 20 vjetorin e tij, ngjarja “Orvieto Fotografia 2024” në Itali, nga 15-17 mars ka për të zhvilluar seminare, biseda dhe ekspozita që eksplorojnë zhvillimin dhe të ardhmen e fotografisë. Disa nga temat e trajtuara nga fotografët dhe ekspertët e njohur ishin mbi etikën e AI (Inteligjencës Artificiale), reportazhin dhe fotografinë e portreteve, bën me dije Troshani.
Jeta e Jetmir Troshanit, e gjitha, nuk janë zogjtë, jeta e egër, promovimi dhe mbrojtja e tyre, por gjithqysh këto fluturakë të zotërimeve të qiellit dhe lirisë, janë gjithçka për të. Sepse ai e ushqen këtë shpirt me zjarrin e pasionit, vlimin që i mëkon atij energji eteri dhe shpërblim zëshmërie të ndjenjave. Dhe është kjo thirrje e brendshme, ky ngulm për t’iu dhënë me mish e me shpirt një kauze që tejkalon fotografinë, për t’u shndërruar në mision.
“Fillimi i një udhëtimi në botën e fotografisë së kafshëve të egra ka qenë një përvojë tepër shpërblyese dhe emocionuese për mua. Me një bollëk subjektesh magjepsëse dhe mjedise gjithnjë në ndryshim, ky zhanër fotografie paraqet sfida dhe mundësi për rritje”, kumton Troshani.
Në një tjetër ndalesë të përfshirjes emocionale për vlerësimin e rrëmbyer në këtë sfidë të fotografisë, Jetmir Troshani thekson se “Duke kenë se jam rritë dhe frymëzu në qytetin e gjallë kulturor të Shkodrës, ku dhe fotografia asht shfaq për herë të parë në Shqipëri, dhe pasi kam kalu jetën time të rritun në metropolin dinamik të qytetit të Nju Jorkut që kur isha 20 vjeç, jam sinqerisht i gëzuem me festu kulmin e pasionit tim, duke fitu çmimin e parë nga një institucion shumë i vlerësuem si FIOF.”
Troshani kërkon ta ndajë këtë sukses të tijin me ata që kanë qenë shtys e këtij caku të kulmët të përmbushjes së tij profesionale, dhe ai e bën këtë përmes mirënjohjes dhe falënderimit që ai shpreh për mbështetjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Focus Award, partner në këtë nismë të rëndësishme.
Ai e sjell mrekullinë e botës së egër përmes fotografisë dhe vetë fotografia rreket të dëshmojë thellësinë e përfshirjes dhe përjetimit që Jetmir Troshanin e mbërthen në këtë durim titanik për të kapur momentin.
Ne të gjithë kemi parë dhe fotografuar zogj, por fatlumët për të bërë shkrepjen e artë, janë ata që kalitin durimin dhe përqendrimin në një kohje që ndalon në një çast të vetëm, për të ardhur tek fotoja që thjeshtë të lë pa fjalë. Dhe Jetmir Troshani është ai vullnet i paepur, ai ngulm i pandalshëm që del prej tij, si një mision, për ta shpaluar qiellin përmes fluturimit të zogjve, duke na mëkuar kaq shumë liri, një poetikë kaq dehëse, dhe një ëndje për ta dashuruar natyrën.
Për Troshanin, arti i fotografisë së kafshëve të egra është një kërkim thellësisht zhytës dhe përmbushës që më lejon të lidhem me natyrën dhe të ndaj bukurinë e saj me të tjerët. Duke ndjekur këto këshilla dhe duke qëndruar i përkushtuar ndaj të mësuarit dhe rritjes, unë jo vetëm që zhvilloj aftësitë e mia teknike dhe vizionin krijues, por gjithashtu kultivoj një vlerësim më të thellë për ekuilibrin delikat të botës natyrore. Kështu, unë rrëmbej kamerën time, nisem në natyrën e mrekullueshme dhe nis një udhëtim të paharrueshëm zbulimi dhe rritjeje. Sa më shumë eksploroj dhe mësoj, aq më tërheqëse dhe më ndikuese bëhen imazhet e mia të jetës së egër.
Dhe ja ku jemi sot me Jetmir Troshanin fitues të një ç֛mimi të madh dhe të një arritje që kërkon të shtyt më tej caqet e së mundshmes përmes fotografisë, të çojë Shqipërinë në të tjera nderime dhe Shkodrën në atë altar krenarie që na thërret të gjithëve në besim.
Përgatiti: Albert Vataj