E përditshmja britanike “The Guardian” i ka kushtuar një artikull zhvillimeve në ndeshjen mes Zvicrës dhe Serbisë. Në artikull theksohet se tifozët serbë u sollën si fashistë me kore ku kërkohej vrasja e shqiptarëve.
Artikulli hedh dyshime mbi drejtuesit e FIFA-s dhe tolerancës së tyre ndaj sjelljeve të tilla nga serbët në Katar. “The Guardian” i referohet dëshmisë së një shqiptari të cilit iu ndalua hyrja në stadium me flamurin kombëtar, ndërsa simbolet nacionaliste serbe depërtonin lehtësisht brenda impiantit ku do të luhej sfida. “Tifozi, mbështetësi i Zvicrës, Hasan Rrahmani mbërriti në ndeshje me një flamur shqiptar në qafë, por thotë se ia kishin konfiskuar atë në hyrje, ndërsa simbolet poshtëruese nacionaliste serbe lejoheshin të kalonin.” – thuhet në artikull.
Rrahmani në dëshminë e tij për të përditshem britanike thekson se serbët kishin futur në stadium simbolika që himnizonin krimet e serbëve gjatë luftërave në Ballkan, përfshirë dhe krimet e kryera në Kosovë.
Ndër të tjera, në artikull evidentohen dhe koret e tifozerisë serbe si “Vritini shqiptarët” apo “Kosova është zemra e Serbisë”.“The Guardian” parashton nevojën që FIFA të nisë hetimin e menjëhershëm të këtyre shfaqeve fashiste duke kritikuar ashpër institucionin më të lartë të futbollit botëror për tolerancën e treguar ndaj akteve të tilla.