Nga Mehmet Elezi
Një festë e bukur që kemi përpara, një javë para Vitit të Ri, në shqip njihet me tre emra.
1. Buzmi, nata e buzmit.
Festë pagane, tradicionalisht është kremtuar me 25 dhjetor.
Në thelb shenon fillimin e zgjatjes së ditës, fillimin e motit të ri. Është fjalë e burimit indoeuropian të shqipes. Kuptimi i parë i saj është cung. Niset nga djegia e një cungu të trashë gjatë tërë natës në vatër. Kjo djegie me ritet që e shoqërojnë, është në qendër të ceremonialit të buzmit.
Dy emrat e tjerë janë për të njëjtën të kremte, por tashmë jo pagane.
2. Kërshëndella.
Shumëkujt i kujtohet se presidenti Ibrahim Rugova uronte besimtarët për Kërshendella. Te autorët veriorë të para Luftës dhe në tëresi te katolikët e veriut gjindet në këtë trajtë. Kuptimi, siç shkruan Çabej, është “të lemit e Krishtit”, lindja e Krishtit.
Fjala është e mbarë gjuhës, jo vetëm e gegnishtes. Hahni e ka regjistruar në jug të vendit. Mitrush Kuteli e përdor. Në përkthimin e tij të “poemës” së Gogolit Frymë të Vdekura, gjejmë fjali të tilla: “Pas Kërshëndellesh do të kem edhe dhjamë derri”. “Për Kërshëndella do të kemi edhe pupla”.
Për prejardhjen e këtij emri kanë mbizotëruar dy parashtresa.
Disa studiues e nxjerrin prej fjalëve shqip Krisht këndellje, domethënë këndellja e Krishtit. Kuptimisht edhe fonetikisht duket e mundshme.
Të tjerë e nxjerrin prej latinishtes Christi natale.
Çabej argumenton të dytën. Pra, sipas Çabejt, ka prejardhje latine, prej Christi natale.
3. Krishtlindje.
Fjalë relativisht e re. Çabej e cilëson “neologjizëm, pas gjase një përkthim, një kalk i ri i fjalës greke”.
Nuk thotë kush dhe kur e ka përdorur i pari dhe si ka hyrë në gjuhën shqipe. Duhet të ketë hyrë si fjalë librash.
4. Cila nga të tria këto duhet parapëlqyer?
Buzm mund të përdoret vetëm në studimet e përshkrimet etnografike, pasi, siç u tha, përfaqëson një të kremte pagane.
Krishtlindje ështe kalk prej greqishtes. S’ka arsye me u përdorë, sa kohë që nuk sjell diçka të re për gjuhën shqipe. Shqipja ka fjalën e vet të hershme me gurrë latine. Dhe e ka mbarë gjuha, jo vetëm një dialekt, jo vetëm disa treva të vendit.
Gjuhësisht Kërshëndella ka epërsi sepse:
Eshtë fjalë mbarëkombëtare.
Eshtë në harmoni me krejt terminologjinë kishtare në gjuhën shqipe. Siç është nënvizuar shumë herë, terminologjia kishtare e shqipes është me burim latin, çka tregon se krishtërimin e kemi marrë drejtpërdrejt prej Romës dhe jo me ndërmjetesinë e dikujt tjetër.
Ky fakt është marrë si një tjetër dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve. Dëshmi që shqiptarët qysh para Krishtit kanë jetuar në vazhdimësi në të njëjtat troje ku jetojnë sot. Kanë qenë fqinj me Romën e lashtë, prej ku moren krishtërimin drejtpërdrejt.
Nuk shihet arsye gjuhësore as tjetërfare me zëvendësue një fjalë të lashtë shqipe me gurrë latine, me një kalk të vonë të një fjale greqisht.