Nga Sebastian Zonja
Ish-ministri i Financave greke Janis Varufakis, ndër ekonomistët më në zë sot në Evropë, na sjell një panoramë pak të errët për tensionet e ardhshme në Mesdheun lindor. Siç e dini, gara për zonat ekonomike dhe burimet energjetike në këtë rajon ka mbetur jashtë vëmendjes për shkak të luftës në Iran, porse do çelet sërish një ditë. Është me interes që ngjarje të tilla të ndiqen me vëmendje, sepse po flasim për rajonin tonë dhe për një vend fqinj si Greqia, ku ndodhen qindra mijëra shqiptarë, bashkëndajmë interesa ekonomike dhe lidhje të mëdha kulturore. Tensionet janë të larta. Varufakisi, i ftuar në një Podkast këtë javë, akuzoi Athinën se ka rënë totalisht në prehrin e Izraelit për shkak të dogmës, sipas tij, të armiqësisë me Turqinë.
“Rreth viteve 2000 dikush në ministrinë e Jashtme greke propozoi një dogmë të re, strategji të re për Greqinë, e cila bazohej në idenë e një aleance strategjike midis Greqisë dhe Izraelit, mbi argumentin se armiku i armikut tim është miku im. Ideja është se Greqia nuk ka mjaftueshëm forcë për t’iu kundërvënë Turqisë, ndaj Izraeli është aleati ynë strategjik. Kjo u miratua në fillimvitet 2000 nga socialdemokrati Jorgo Papandreu. Pastaj e morën edhe të djathtët grekë”, thotë Varufakisi.
Ai akuzon me tone të forta vendin e tij se është kolonizuar nga Tel Avivi.
“6 orë pas dorëheqjes sime më 6 korrik 2015, kryeministri me të cilin sapo kisha pasur një grindje i dha dritën jeshile Nikos Kociasit, asokohe ministër i Jashtëm, të fluturojë drejt Tel Avivit. Ai nënshkroi një marrëveshje që, në fakt, është tepër koloniale. I jep të drejtën ushtrisë dhe forcave ajrore izraelite të përdorin hapësirën ajrore greke dhe territorin grek për të praktikuar lojëra lufte pa pëlqimin e qeverisë greke”, u shpreh ai gjatë intervistës.
Vlen të sillet në vëmendje se Greqia është aleati ynë në NATO, siç është edhe Turqia. Politika e “containment” (izolimit/përmbajtjes) që një fuqi e mesme si Izraeli po ndjek ndaj Turqisë, po ashtu fuqi e mesme, ka ndikim në gjithë Mesdheun lindor. Sipas ekonomistit me famë botërore, industria ushtarake e fqinjëve tanë është në shërbim të kompanive izraelite.
“E djathta jonë është zhytur plotësisht në ultra-sionizëm. Ia kanë shitur pjesën më të madhe të industrisë mbrojtëse greke kompanive izraelite. Kryeministri ynë është kapur në flagrancë duke përgjuar ministrat e kabinetit me teknologji izraelite”, thotë Varufakisi.
Ai na jep një panoramë interesante se si po e shfrytëzojnë politikisht luftën politikanët në Turqi dhe Greqi. Kryeministri Kiriakos Micotaqis po merr mbështetje nëpër sondazhe sepse luan kartën nacionaliste, thotë intelektuali grek. Po ashtu, sipas tij, edhe presidentit turk Rexhep Taip Erdogan i interesojnë këto tensione sepse mbledh rreth vetes nacionalistët.
“Aktualisht, pranë brigjeve të Qipros, Forcat Ajrore Greke kanë stacionuar fregatë dhe avionë F16. Iranianët dërguan një dron për të bombarduar bazën Akrotiri, territor sovran britanik. Pra, marina dhe forcat ajrore greke janë atje për të mbrojtur një territor sovran britanik. Në thelb, për të mbrojtur të drejtën e amerikanëve me përdor një pjesë të Qipros për të bombarduar Iranin në emër të Izraelit. Kjo po paraqitet në Greqi si një fitore e madhe kundër Turqisë. Është absolutisht irracionale. Por edhe nuk është tamam kështu, sepse kryeministri e kupton shumë mirë këtë, ndaj po i thotë nacionalistëve grekë: “Shikoni, tani po e shtyjmë Turqinë prapa”. Çfarë mendojnë grekët, se do marrim pjesën veriore të Qipros me fregatën tonë? Do fillojmë një luftë tjetër me Turqinë? A është kjo rruga që duhet të ecim përpara? Rruga e duhur përpara është që Qipro të bëhet sovrane dhe Greqia, Turqia dhe Britania të largohen prej andej. Lufta në Iran po përdoret nga grekët për të rritur tensionet me Turqinë. Edhe presidentit Rexhep Erdogan i leverdisin këto tensione, sepse forcon sundimin brenda Turqisë, ngaqë kështu funksionojnë nacionalistët”, thotë Varufakisi në analizën e tij.
Varufakisi është angazhuar shumë së fundmi nëpër debate publike dhe shkrime në mediet më të rëndësishme botërore për të kundërshtuar atë që ai e cilëson jo thjesht populizëm, por rikthim të fashizmit.

