Prania e KFOR-it në Kosovë konfirmoi se ka patur të shtëna me armë zjarri pranë një patrulle të tij në veriun e Kosovës.
“Mund të konfirmoj se para disa orësh KFOR-i, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër patrullës. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë.”- thuhet në reagimin e KFOR- it.
Të shtënat me armë ndaj pranisë së KFOR-it i konfirmoi dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili theksoi se këto janë lojërat e radhës të Aleksandër Vuçicit për të destabilizuar situatën në vend. Sveçla akuzoi Beogradin se ka dashur të bëjë dhe Policinë e Kosovës pjesë të këtij skenari duke inskenuar një përplasje mes serbëve dhe policisë, mirëpo kur u kuptua se sulmi kishte ndodhur ndaj KFOR-it, Serbia nxitoi të mohonte gjithçka.
Ai kërkoi nga Beogradi që të heqë dorë nga organizimi i strukturave kriminale në veri të Kosovës ndërsa u bëri thirrje sërish qytetarëve të mos bien pre e propagandës serbe.
Ky është sulmi i dytë ndaj trupave të pranisë ndërkombëtare në Kosovë, pasi pak javë më parë një tjetër patrullë e EULEX-it u sulmua me bombë molotov në veri ku tensionet vijojnë të jenë sërish të larta.