Kina u zotua të hënën se do të mbrojë sovranitetin e saj kombëtar dhe paralajmëroi kundër “ndërhyrjeve të jashtme”, pasi Shtetet e Bashkuara publikuan një strategji të re të sigurisë që synon forcimin e kapaciteteve ushtarake për të penguar një konflikt të mundshëm me Pekinin për çështjen e Tajvanit.

Uashingtoni paraqiti qasjen e tij ndaj njërës prej çështjeve më të ndjeshme gjeopolitike në botë në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë, e publikuar të premten. Dokumenti u bë publik në një kohë kur Kina, javën e kaluar, dislokoi një numër të madh anijesh luftarake dhe të rojës bregdetare në ujërat e Azisë Lindore, në atë që konsiderohet shfaqja më e madhe e forcës detare nga ana e saj deri më sot.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, deklaroi në Pekin se Tajvani përbën “vijën e kuqe” në marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe se Pekini nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje të jashtme.

“Pala amerikane duhet ta trajtojë çështjen e Tajvanit me kujdesin më të madh dhe të ndalojë së inkurajuari dhe mbështetur forcat separatiste të ‘pavarësisë së Tajvanit’”, u shpreh Guo.

Ai shtoi se Kina mbetet e gatshme të punojë me Shtetet e Bashkuara për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme, duke theksuar se mbrojtja e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të vendit mbetet parësore.

Kina e konsideron Tajvanin, i cili qeveriset në mënyrë demokratike, si pjesë të territorit të saj dhe nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për të marrë kontrollin e ishullit. Qeveria e Tajvanit i hedh poshtë këto pretendime dhe thekson sovranitetin e saj.

Dokumenti i ri amerikan është mirëpritur në Tajvan. Presidenti Lai Ching-te shkroi në platformën X se vendi i tij “e vlerëson shumë” faktin që strategjia amerikane i jep përparësi parandalimit të një konflikti mbi Tajvanin.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Wellington Koo, deklaroi se SHBA vijon ta konsiderojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon si interes thelbësor.

“Shtetet e Bashkuara po punojnë fuqishëm që vendet në rajonin Indo-Paqësor të bashkëpunojnë për të krijuar një formë efektive të parandalimit kolektiv,” tha ai.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *